Kasandrat antizgjedhje të Edvinit nuk mund të funksionojnë më
Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë spekulimet e PS, duke deklaruar se procesi i shpërndarjes së kartave të identitetit po funksionon me kapacitetin e vet maksimal. Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja deri në datën 22 maj kanë aplikuar 1 milion e 50 mijë shtetas
TIRANE - Ministria e Brendshme ka përgënjeshtruar deklaratat e pavërteta të Partisë Socialiste për mungesë informacioni për listat e qytetarëve pa pasaportë, pasi ky informacion i është dërguar në mënyrë periodike përfaqësuesve të Partisë Socialiste që nga fillimi i procesit “Lista emërore e rifreskuar e personave pa pasaportë i është dërguar Partisë Socialiste në datën 5 Maj 2009, ndërsa informacioni më i fundit për procesin i është dërguar në datën 20 Maj 2009. Çdo korrespondencë dhe informacion i dërguar mund të gjendet gjithashtu në faqen elektronike zyrtare të Ministrisë së Brendshme”, deklaroi dje në një konferencë për shtyp zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.
Zëdhënësi theksoi më tej, se Ministria e Brendshme është e shqetësuar pasi Partia Socialiste ka dhunuar ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke ia dhënë këto informacione zyrtare personave të paautorizuar dhe duke i përdorur në ambiente të hapura publike.
Konja shtoi se, “çdo qytetar shqiptar që do të paraqitet për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik, i ka të gjitha kushtet e garantuara për ta marrë këtë dokument brenda 10 ditësh nga data e aplikimit”.
Ai u ka bërë thirrje të qytetarëve që kanë aplikuar për kartat, që t’i tërheqin ato.
“Deri më datën 22 maj kanë aplikuar 1 milion e 50 mijë shtetas, prej të cilëve 420 000 nga grupi i atyre pa pasaportë. Janë prodhuar 890 000 letërnjoftime, 520 000 prej të cilëve janë tërhequr tashmë prej qytetarëve”, bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.
Reagimi i Ministrisë së Brendshme erdhi pasi selisë së PS-së iu rikthye gjuha e kërcënimeve për bllokimin e procesit të pajisjes së shtetasve me pasaporta elektronike. Kërcënimi i PS-sës, i artikuluar dje nga Kastriot Islami, arriti deri atje sa, kjo parti të paralajmërojë se nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhje pa pajisjen e të gjithë qytetarëve me karta identiteti, megjithëse më se një herë, garancitë për pajisjen e të gjithë shtetasve me kartat e identitetit, nuk kanë munguar nga Ministria e Brendshme.