E Diel, 1 Nëntor 2026

Erion Xhafa: Laçi ska rrugë tjetër, veç fitores

Nga ALTIN PREÇI

Edhe pse kanë humbur ndeshjen e parë në Shkodër ndaj Vllaznisë, tani kurbinasit kërkojnë të mundin kampionët

Kurbinasit kërkojnë të marrin tri pikë përballë Skëndërbeut, ndërkohë që përgtitjet për këtë takim kanë nisur dhe të gjithë shpresojnë te një fitore. Sot pritet të përcaktohet edhe vendi i zhvillimit të takimit me Skënderbeun. Fatmirësisht, në dispozicion të stafit teknik janë të gjithë futbollistët, duke i dhënë mundësi trajnerit Daiu të përzgjedhë më të mirët. Një nga futbollistët titullarë të ekipit të Laçit, Erion Xhafa, para kësaj sfide, shprehet:

Është takimi i radhës dhe sigurisht është vlerësuar në maksimum nga ana jonë, jo se luajmë me Skënderbeun, por sepse ekipit kurbinas tashmë i duhen patjetër pikët pas humbjes në Shkodër me Vllazninë. Do të jemi në 100% të mundësive tona në këtë takim, duke u përpjekur që të zotërojmë lojën, të mos i lëmë hapësira kundërshtarit dhe duke e mbajtur atë nën presion.

Ne e dimë forcën e ekipit korçar, por jam i bindur që, nëse ekipi i Laçit do të luajë brenda mundësive maksimale që ka, e arrin fitoren në mënyrë të padiskutueshme. Luajmë pa praninë e sportdashësve, por tashmë jemi ambientuar dhe impenjimi ynë do jetë në maksimumin e mundshëm për të bërë të mundur edhe fitoren e takimit.

Skënderbeu ka kualitete, por Laçi ka futbollistë jo vetëm kualitativë, por edhe me zemër. Kjo bën që edhe takimi të jetë shumë i fortë për të dy ekipet. Fitorja jonë këtë radhë do jetë për sportdashësit kurbinas, të cilët e meritojnë tripikëshin, i cili vlen më shumë se kaq në këtë takim. Shpresojmë të gjejmë rrugën e rrjetës sa më shpejt të jetë e mundur, për të qenë të sigurt më pas në përfundimin me sukses të këtij takimi dhe marrjen e tri pikëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›