E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëborë në Shkodër, Vllaznia mbyllet në kalçeto

Nga GJERGJ KOLA

Dje trajneri Vata ka qenë i detyruar të stërvitë ekipin në fushë të mbyllur, pasi të gjitha ambientet e hapur ishin mbuluar nga dëbora

Në Shkodër rrallë bie borë, por kur bie, çdo gjë sa i takon sportit, thuajse paralizohet. Ekipet e futbollit sidomos e vuajnë shumë mungesën e ambienteve sportive të mbuluara dhe shumica e ekipeve të moshave, dje ose e kanë bërë pushim, ose janë sistemuar në ndonjë sallë force, sa për të thënë se bëmë stërvitje.

I njëjti problem thuajse edhe për ekipin e parë. Trajneri Vata nuk e ka parë të arsyeshme ta dërgojë ekipin në pallatin e sportit, ngaqë sipas tij, lagështira e parketit mund të ndikojë për keq te sportistët. Për rrjedhojë, kuqeblutë dje pasdite kanë zhvilluar fushën e kalçetos të kompleksit sportiv Te 10-ta për të zhvilluar seancën e radhës.

Kuptohet që përmasat e kësaj fushe nuk janë shumë normale për një ekip futbolli, aq më tepër në prag të një ndeshjeje shumë të rëndësishme, siç është ajo që do luajë Vllaznia ditën e diel në Vlorë me Flamurtarin. Siç dihet, vetëm dy ditë më parë, me ekipin është bashkuar edhe mbrojtësi kroat Vuk, që mendohet të jetë në formacion për ndeshjen e radhës, por trajneri ende nuk ka pasur mundësi të aplikojë një skemë loje për të parë vendosjen e tij në fushë, por edhe të lojtarëve të tjerë.

Problemi shkon edhe më tej, sepse nga sa duket dhe nga sa parashikohet, dëbora do vazhdojë të qëndrojë edhe për disa ditë të tjera në Shkodër. Në kushte të tilla, edhe stërvitja e sotme e Vllaznisë do të jetë në një fushë kalçetoje të mbuluar. Gjatë ditës së djeshme u hodh ideja që ekipi të largohej që sot nga Shkodra për në një qytet tjetër, ndoshta në Durrës, Fier apo gjetkë, në mënyrë që ti zhvillonte atje përgatitjet për këtë ndeshje.

Në fund, nga bisedimet e bëra mes drejtuesve, kjo ide ka rënë poshtë dhe kuqeblutë do vazhdojnë të stërviten në qytetin e tyre. Edhe taktika e lojës anti-Flamurtari pritet të bëhet në miniaturë, megjithatë shpresat për një rezultat pozitiv ekzistojnë. Ajo çfarë pritet është ulja sërish e temperaturave nga e diela e në vazhdim, e në kushte të tilla, dëbora që ka mbuluar stadiumin Loro Boriçi, pritet të ngrijë.

Shtresa e saj në tapetin e stadiumit dje ka qenë rreth 30 cm, ndërkohë që edhe mbrëmë kanë vazhduar reshjet. Në kushte të tilla, vihet në dyshim me shumë mundësi edhe zhvillimi i ndeshjes së ardhshme me Skënderbeun për kupë në mesjavën e ardhshme. Kjo ngaqë drejtuesit e klubit shkodran ende nuk kanë filluar të mendojnë për largimin e dëborës nga fusha.

Madje as plane nuk janë bërë për këtë gjë, duke menduar ndoshta dhe duke pritur shkrirjen e saj vetë. Sinoptikanët nuk parashikojnë mot të mirë edhe në ditët në vazhdim dhe prandaj dëbora do vazhdojë të jetë prezente në tapetin e Loro Boriçit.

E njëjta situatë pati ndodhur edhe vitin e kaluar, pikërisht para një ndeshjeje të rëndësishme të Vllaznisë në Shkodër dhe nga ajo u angazhuan shumë struktura për largimin e masës së bardhë nga fusha dhe ajo u arrit në një kohë rekord prej 48 orësh. Këtë herë gjërat duket se nuk janë marrë seriozisht dhe me shumë mundësi, rrezikohet zhvillimi i ndeshjes Vllaznia-Skënderbeu në këtë stadium mesjavën e ardhshme.

Gocaj e Popoviç me probleme, në dilemë për lojë

Ndërsa vijnë lajme të mira për dy të huajt Vuk e Moreno, që mund të jenë të gatshëm për të luajtur në ndeshjen e kësaj jave me Flamurtarin, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dy futbollistët e tjerë, Gocajn dhe Popoviç. Ata edhe dje kanë munguar në stërvitje, sepse vazhdojnë të kenë probleme shëndetësore dhe ende nuk dihet nëse do bëhen për në Vlorë apo jo.

Nga ana tjetër, Smajli ndonëse ka patur ndonjë shqetësim të vogël, dje është stërvitur normalisht me skuadrën dhe do jetë pjesë e saj për ndeshje. Sa i takon çështjes së mesfushorit malazez Brnoviç, ai ka filluar stërvitjen me skuadrën, por ende nuk është 100 për qind në formën e tij dhe me shumë mundësi nuk do luajë as këtë javë.

Da Silva ende në Shkodër, Vllaznia do paratë

Prej tri ditësh qarkullon lajmi se mbrojtësi brazilian Da Silva, që u stërvit për një muaj me Vllazninë, do kalojë te Skënderbeu. Madje thuhet se lojtari është federuar tashmë me skuadrën korçare dhe shpejt do të jetë pjesë e saj. Ai megjithatë deri mbrëmë ka qenë në Shkodër, ndërkohë që sot pritet të ketë bashkë me menaxherin e tij, një takim me drejtuesit e klubit Vllaznia.

Madje edhe dje Da Silva është stërvitur me ekipin. Shkodranët nuk e kanë pritur aspak mirë lajmin për kalimin e mbrojtësit në Korçë pas një marrëveshjeje të mundshme të drejtuesve të Bylisit që kanë kartonin e tij me ata të Skënderbeut, që duan ta kenë në skuadër.

Vllaznia në këtë mënyrë ka dalë jashtë loje, pavarësisht se ajo i ka paguar lojtarit biletën e ardhjes nga Brazili, e ka mbajtur për një muaj në fazë përgatitore dhe tashmë duhet ta lëshojë, kur në fakt, në fillim u tha se Da Silva ka ardhur për të luajtur vetëm me Vllazninë ose ndryshe do kthehej në Brazil.

Tashmë në skenë ka dalë Skënderbeu dhe për këtë, drejtuesit kuqeblu, nga akordi i dy klubeve, kërkojnë patjetër marrjen e parave që kanë shpenzuar për të deri tani. Se sa do tia dalin, kjo mbetet për tu parë sot. Da Silva vazhdon të jetë në Shkodër.

Vjen kartoni i Vukut dhe i Morenos, gati për lojë

Paraditen e djeshme ka mbërritur nga Kroacia lejekalimi për futbollistin Gordan Vuk, i cili tashmë është i gatshëm për të luajtur me Vllazninë. Vonesa për ardhjen e kartonit i vuri në siklet drejtuesit kuqeblu, që e morën këtë futbollist, por edhe Morenon, me qëllim për ti shërbyer dhe jo për ti pasur si spektatorë. Ndonëse ata kishin qenë korrektë me të gjitha gjërat, sigurisht që kanë qenë disa çështje proceduriale që kanë vonuar ardhjen e lejekalimeve.

Tashmë për Vukun nuk ka më asnjë pengesë dhe ai do jetë i gatshëm për të luajtur që në ndeshjen e Vlorë. Po ashtu, edhe mesfushori nga Andorra, Sergi Moreno, tashmë është gati. Për të janë paguar 1500 euro nga ana e klubit Vllaznia si dëmshpërblim te klubi i tij i mëparshëm në Itali, me të cilin ka luajtur dhe dje pasdite ka ardhur lejekalimi. Krerët e klubit kanë qenë shqetësuar jo pak, sepse Moreno konsiderohet një lojtar i rëndësishëm për trajnerin në mesfushë. Lojtari i kombëtares së Andorrës do të jetë në fushë të dielën ndaj Flamurtarit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›