E Diel, 1 Nëntor 2026

Erioni dhe Miri: Nuk duhet të fitojë Domenika

Tashmë që u kanë mbetur fare pak ditë brenda shtëpisë së “Big Brother”, banorët diskutojnë edhe se kush mund të jetë fituesi i mundshëm i këtij spektakli. Sipas tyre, Domenika nuk ka dhënë ndonjë gjë të madhe për t’u shpallur fituese e këtij edicioni të tretë

Ditët kanë filluar të jenë të qeta brenda shtëpisë. Të ndërgjegjshëm se aventura e tyre përfundon pas disa ditësh, pesë banorët synojnë që ta shijojnë këtë lojë. Ethet e spektaklit final kanë filluar të ndjehen së tepërmi, e po ashtu edhe reagimet që do të ketë publiku, por edhe familjarët e tyre, kur të dalin nga shtëpia e “Big Brother”.

Erioni dhe Jona bisedojnë seriozisht

Erioni dhe Jona qëndrojnë në dhomë, duke folur për tema të ndryshme, si për shembull zgjedhjet elektorale në Shqipëri, ku Erioni tregon eksperiencën e tij, ndërsa Jona ilustron shembuj të marrë nga Afrika e Jugut, pasi ka qenë prezente gjatë kohës së zgjedhjeve dhe bëjnë krahasimin midis dy vendeve. Duke u nisur nga kjo temë, ata komentojnë për mënyrën e sjelljes së njerëzve dhe në veçanti për durimin e pakët për të qëndruar në radhë e për të pritur. Jona tregon disa ndodhi gjatë momenteve që ka udhëtuar e kur ajo largohet, Jetmiri e ironizon, duke i thënë Erionit: “Vazhdon me histori avionësh Jona? Jemi lodhur duke dëgjuar të njëjtat gjëra”. Erioni nuk reagon. Më pas Jona, Klodi dhe Domi dalin në kopsht ku bisedojnë. Klodi tregon se kur është në Itali, shpeshherë organizon festa me miqtë e tij dhe kur dëgjon këngë shqiptare, preket dhe fillon të qajë nga malli që ndjen.

Ata vazhdojnë të bisedojnë për sportet dimërore, duke treguar përvojat dhe njohuritë që kanë mbi to.

Klodi: Shtëpisë i mungon Mandi

Erioni, Jona dhe Klodi qëndrojnë në kopsht duke biseduar. Duke pyetur për darkën, Klodi kujton se ishte Mandi ai që i bënte gati përbërësit. Më tej ai ka shtuar se i mungon Mandi, por Jona përgjigjet se ata do të ritakohen me të brenda javës, kështu që nuk do të ketë shumë kohë shkëputje mes tyre. Klodi fillon të këndojë dhe thërret me zë të lartë se Mandi i mungon shtëpisë. Erioni thotë se është evidente se Klodit i mungon Mandi dhe Klodi shton se sot e ka pirë kafenë vetëm, në mungesë të tij. Më pas Klodi kujton Oltën dhe mamanë e tij dhe i përshëndet me një këngë. Klodi fton Jonën në kërcim dhe Erioni i thotë Klodit me shaka se ai nuk ka pse ta marrë vajzën dhe më parë duhet t’i marrë leje atij. Klodi përgjigjet se Erioni nuk është përgjegjës për Jonën dhe bashkë me të kërcejnë në kopsht.

Banorët diskutojnë për papunësinë

Ndërkohë që janë duke ngrënë, banorët hapin një temë diskutimi për papunësisë dhe fuqinë punëtore. Klodi shprehet se sipas mendimit të tij ka shumë njerëz që nuk duan vetë të punojnë, por pothuajse të gjithë banorët e kundërshtojnë. Klodi shprehet se ai ka debatuar dhe me Mandin për këtë temë, pasi ai i ka treguar që në biznesin e tij ka shumë vështirësi për të gjetur punëtorë. Jetmiri përgjigjet se në shumë raste ka shfrytëzim nga ana e punëdhënësit dhe Klodi shton se ky fenomen ndodh gjithkund e nuk mund të shmanget. Domi thotë se për t’i besuar një punë dikujt, duhet që ta meritojë, pasi nuk mund të paguash pa arsye dikë që nuk kryen me efektivitet punën që i është dhënë. Klodi shprehet se ai ka vënë re që dhe në shtëpinë e “Big Brother” ka shumë banorë që nuk prekin asnjë punë me dorë dhe Jona e mbështet. Erioni u përgjigjet se e pranon që ka dy javë që nuk ka bërë asnjë punë, por nesër do të pastrojë vetëm për nder të Jonës meqenëse asaj i ka rënë në sy kjo gjë.

Jona: “Nuk kam qenë aq e qetë këtu”

Jonës i kujtohet sërish klipi me opinionet e ish-banorëve për fituesin dhe jofituesin e “Big Brother”. Ajo nis të imitojë Manalin dhe Tatianën për shprehjet që thanë se ajo nuk e meritonte fitoren. Jona i tregon këto sërish me një habi në vetvete, duke u shprehur se ajo i priste këto reagime. Ndërsa flet për shpërthimet e Tatianës që i dukeshin bezdisëse, Domenika e pyet nëse vet Jonës nuk i ka qëlluar ndonjëherë që ka dashur të veprojë ashtu. Ajo pohon, por thotë se nuk ka qenë aq e qetë këtu brenda sa po mendojnë ata. Më pas, tre banorët fillojnë të flasin për filmat humoristikë dhe spektaklet me tema të ndryshme që zhvillohen nëpër televizionet italiane.

Klodi, në ankth për reagimin mbi homoseksualitetin

Klodi është ulur pranë vajzave dhe u tregon një histori për gjyshen e tij. Gjatë diskutimit, Klodi përmend faktin se gjyshja e tij kishte reaguar keq kur kishte parë dy vajza homoseksuale. Ai thotë se ka frikë, por edhe kuriozitet të dijë reagimin e saj tashmë që edhe ai ka deklaruar këtë preferencë seksuale. Jona mendon se kur të dalë ai, situata do jetë ndryshe dhe reagimi i saj, nuk do jetë më ai i mëparshmi, pasi ka kaluar kohë që kur Klodi e deklaroi këtë gjë. Klodi shton se sidoqoftë, ajo nuk ka për të reaguar aq keq ndaj tij, pasi ajo i ka rritur dhe mbështetur në çdo moment, ndaj lidhja e tyre është shumë e fortë. Për mamanë e vet, ai thotë se e di reagimin e saj, pasi e pa tek video-mesazhi që i kishte dërguar, por gjyshja ka tjetër mentalitet, sepse është rritur në një tjetër periudhë. “Këtu po të kupton një Shqipëri e tërë, mos të të kuptojë gjyshja”, thotë Domenika duke i dhënë zemër Klodit, ndërsa ai vazhdon të flasë e të tregojë disa histori për gjyshen.

Erioni: “Kika mund të ndikojë te publiku”

Erioni dhe Miri vazhdojnë të flasin për audiencën që kanë televizionet e ndryshme e kryesisht për spektaklet më të ndjekur. Një spektakël shumë i ndjekur është edhe “Big Brother” dhe Erioni i tregon Mirit se në shumicën e lokaleve që ai frekuenton, nëpër televizorë ka gjithnjë pamje nga ky spektakël, për më tepër gjatë spektaklit të së shtunës. Djemtë ndryshojnë temë dhe flasin për “Big Brother” dhe spektaklin e fundit që Miri e konsideron si një ndër ata që e argëtoi më shumë. Ai bashkë me Erionin kujton klipin e provës së javës, klipin e ish-banorëve dhe atë të debateve mes tyre. Ata ndalojnë më shumë te diskutimi që Erioni pati me Kikën. Miri thotë se iu duk shumë komike mënyra se si të gjithë ish-banorët thoshin emrin e tij, si një banor që nuk duhet të fitojë. Erioni shprehet se opinioni i Kikës, ndryshe nga i të tjerëve, ndikon më shumë te publiku, pasi në radhë të parë Kika kishte shumë audiencë e së dyti sepse ai përmendi emrin e Domenikës si fituese, ndërkohë që pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar me të dhe Mirin. Sipas Mirit, publikut i jepen të dyja mundësitë, ose të orientohet nga opinioni i ish-banorëve, ose të mbajë opinionin e krijuar pa u ndikuar nga ata. Por Erioni arsyeton se në publik, më shumë ndikon një opinion i ndryshuar nga një ish-banor sesa opinioni i njëjtë i një ish-banori tjetër për ta.

Opinione për fituesin e “Big Brother”

Miri i tregon Erionit se pak më parë po ngacmonte të tjerët duke i thënë se po i hante dora, ndërsa asnjëri prej tyre nuk i tha shprehjen që thuhet gjithnjë se do marrë para. Të dy qeshin dhe thonë se banorëve të tjerë u kanë hyrë ethet e lojës e secili mendon për vete. Duke diskutuar për fituesin e këtij edicioni, të dy shprehen se nuk do t’u pëlqente aspak që Domenika të fitonte “Big Brother”, edhe pse Erioni e mendon atë si fituesen e mundshme, kurse Miri jo. Miri thotë se sipas tij, Domenika nuk i ka dhënë shumë këtij spektakli, përveç lidhjes me Seldin. Erioni tregon se Domenika ka simpati jashtë, sepse Ada ia kishte përmendur një gjë të tillë kur hyri në fillim. Miri mendon se duhet ta fitojë ai që e meriton, pasi publiku është ai që e vendos e nëse ai vendos për Domenikën, ata s’mund të bëjnë gjë tjetër veç ta pranojnë. Ai shton se Domenika ka një avantazh pasi ka disa javë që nuk është nominuar e në këtë mënyrë, as nuk është konsumuar si personazh, ndryshe nga ata që çdo javë kanë qenë në nominim e janë përpjekur të bëjnë më shumë. Erioni thotë se përsëri, edhe këtë javë që është finalja, ata janë në nominim.

Komente për lojën e Jetmirit

Jona dhe Domenika qëndrojnë në kuzhinë, duke biseduar dhe Jona i tregon Domit këngëtarët dhe grupet muzikorë që pëlqen. Ajo specifikon një këngë që titullohet “E verdha” dhe Jona i thotë se kjo është dhe ngjyra e saj e preferuar që kur ka qenë shumë e vogël. Ajo vazhdon t’i flasë Domit për këngët që pëlqen, derisa në kuzhinë vjen Erioni dhe përshëndetet me to. Domi e pyet Erionin se kur ka fjetur mbrëmë dhe ai përgjigjet se së bashku me Jetmirin janë shtrirë shumë vonë, ndoshta në orët e para të mëngjesit. Domi shprehet se ajo e ka ndier Jetmirin që ka ndenjur deri vonë, por Erionin jo. Erioni thotë se Jetmiri i ka treguar se i ka thënë Domit që të zgjohet se do të fillojë spektakli. Domi përgjigjet se Jetmiri nuk i është drejtuar asaj, por ka thirrur me zë të lartë në mes të dhomës se duhet të zgjohen menjëherë, pasi do të bëhet një spektakël, por e gjitha kjo ka qenë një gënjeshtër. Jona shpreh habi dhe thotë se ajo nuk e ka dëgjuar fare, pasi ka qenë në gjumë të thellë. Ajo shton se të gjithë janë të rritur dhe kjo nuk është normale nga ana e Jetmirit, pasi këto janë sjellje për fëmijë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›