17% e fëmijëve vuajnë nga anemia
Plot 17 për qind e fëmijëve shqiptarë vuajnë nga anemia, ndërkohë që 30 për qind e fëmijëve janë të pazhvilluar normalisht. Të dhënat janë bërë publike dje në një takim bashkëpunimi për arritjen e konsensusit për “Zvogëlimin e kequshqyerjes së fëmijëve shqiptarë dhe rritjen e aksesit për ushqim”.
Ky takim organizohej nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në bashkëpunim me Organizatat e Kombeve të Bashkuara, UNICEF dhe FAO.
“Ky memorandum do të hapë rrugën e aktivizimit të strukturave zyrtare dhe krijimit të një komiteti ndërministror”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Aktivitete të kësaj natyre synojnë të kontribuojnë në përfshirjen e objektivave të ushqyerjes në politikat dhe programet ndërsektoriale, duke e dëshmuar këtë me ngritjen e një mekanizmi koordinues të qëndrueshëm kombëtar për ushqimin dhe ushqyerjen, në nivelin më të lartë vendimmarrës. Me arritjen e këtij konsensusi, të gjithë aktorët do të angazhohen për të punuar së bashku për përmirësimin e gjendjes së ushqimit dhe ushqyerjes në Shqipëri. Programi është firmosur në datën 14 dhjetor 2009 nga Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Në zbatim të programit të përbashkët, në muajt në vijim ky takim kombëtar do të pasohet me një seri aktivitetesh në nivel qarku në zonat pilote ku do të kryhen ndërhyrje të ndryshme për ushqimin dhe ushqyerjen, në pesë rrethe të Veriut të Shqipërisë, prefekturat e Kukësit dhe të Shkodrës, si dhe në dy bashki peri-urbane të Tiranës.