Çelet pavijoni shqiptar në Kanë
Ndërkohë që Festivali i Kanës shënon ceremoninë e çeljes së edicionit të 63-të, po sot hapet edhe pavijoni shqiptar i filmit. Kinematografia shqiptare do të ketë vendin e saj në pavijonin e vendeve të Europës Juglindore. Vendimi u mor muaj më parë nga bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike, e cila paguan edhe një qira vjetore për hapësirën që i vihet në dispozicion promovimit të kinematografisë shqiptare. Në një pavijon prej 200 metrash katrorë, do të ekspozohen afishe, informacione për filmat shqiptarë të prodhuara tri vitet e fundit, DVD dhe fletëpalosje mbi historinë e kinematografisë sonë. Gjatë kohës që mbahet Festivali i Kanës, regjisorë dhe producentë shqiptarë, të ndarë në dy grupe, do të kenë mundësinë të kontaktojnë drejtpërdrejt me publikun, por edhe krijues të huaj, për të vendosur pika kontakti mbi bashkëpunime të mundshme për të ardhmen. Pluton Vasi, Vjollca Dedei, Spartak Pecani, Dritan Huqi, Andi Deliana, Sabina Kodra dhe Joni Shanaj do të jenë të pranishëm në pavijonin shqiptar. Ndërkohë do të prezantohen filmat "Kronikë provinciale" me regji të Artan Minarollit, "Ne dhe Lenini" i Saimir Kumbaros, "Mao Ce Dun" i Besnik Bishës, "Sekretet" i Spartak Pecanit, "Trishtimi i Zonjës Shnajder" i Pirro Milkanit, "Honeymoons" një realizim nga Genc Përmeti dhe Goran Paskaljevic. Po ashtu afishe të mëdha do të “flasin” për filmat “Gjallë” të Minarollit, “Koha e Kometës” të Fatmir Koçit dhe “Lindje, Perëndim, Lindje” i Gjergj Xhuvanit. Ky prezantim është pritur me interes nga kineastët shqiptarë.
#