Erioni pëlqen Bertinën, me Oltën po luan sepse tashmë e njeh mirë
klotilda harka
Një aventurë televizive që Erion Zeqiraj po e përjeton dhe si aventurë intrige dhe dashurie brenda shtëpisë së “Big Brother 3”. Por eliminimi i Bertinës të shtunën e kaluar mund të konsiderohet si një provë për ndjenjën e tij të vërtetë, dhe nëse do të mund t’i rezistojë tundimit të Oltës në shtëpi. Tashmë, publiku është kurioz të dijë për këtë ndjenjë në dyzim të Erionit, cilën prej vajzave pëlqen vërtet dhe si do të vazhdojë lidhja e tij me Bertinën, pas mbylljes së “reality show”-t. Vëllai i tij 21-vjeçar, Kledis Zeqiraj jep këtë intervistë ku rrëfen më shumë rreth karakterit të Erionit në jetën reale. Si ka qenë sjellja e tij me ish-të dashurat, si e sheh ai lidhjen e re me Bertinën, lojën me Oltën dhe intrigat e banorëve të tjerë:
Kledis, pas daljes së Bertinës nga “BB3”, na bëri përshtypje sjellja agresive e Erionit dhe përlotja e tij. Ndodh kjo shpesh me vëllain tuaj?
Në fakt, këto janë sjellje që ndodhin shumë rrallë tek Erioni, pasi gjatë gjithë jetës sime kjo mund të ishte hera e parë që e shoh Erionin duke qarë. Ndërsa për agresivitetin nga ana e tij, besoj se çdo njeri do të nxehej në momentin që një person i dashur për të, del nga loja dhe të duhet ta luash i vetëm pjesën e mbetur të lojës.
Thoni “person i dashur”, mendoni se Erioni ka rënë vërtet në dashuri me Bertinën?
Nuk e di nëse mund të flitet për dashuri, por me atë që kam parë ekziston një pëlqim i madh nga të dy, dhe Erioni pas spektaklit të së shtunës e vërtetoi këtë me sjelljen e tij.
Por gjatë kësaj jave, që Bertina mungon në lojë, po shohim një afrim të Oltës me Erionin. Sa e vërtetë mund të jetë kjo që po shohim?
Jo, nuk e besoj se Olta është në shijet e tij, pasi është shumë arrogante dhe provokatore. Ai e ka kuptuar lojën e Oltës dhe siç u shpreh gjatë një bisede me Jetmirin, ai tani ka nisur lojën kundrejt saj.
Cila mund të jetë arsyeja që Olta provokon Erionin?
Nuk mund t’i di arsyet e saj, por them që mund të jetë shtyrë nga të tjerët aty brenda, ose thjesht kjo mund të jetë strategjia e saj e lojës.
Nga kush tjetër mund të jetë shtyrë?
Ndoshta nga ndonjë prej banorëve, pjesë e grupit të saj…
Po Erioni, cilin prej banorëve ka në grupin e tij, po kundër?
Erioni në fakt ka hyrë aty për të bërë lojën e tij dhe jo të jetë pjesë e ndonjë grupi, por do të thosha që personat tek të cilët ka më shumë besim janë Hakiu dhe Jetmiri.
Ndërkohë, veç Oltës hyri në lojë dhe Ada, e cila papritur deklaroi se dëshironte ta njihte më shumë Erionin jashtë shtëpisë. Si do ta gjykonit?
Mendoj se ishte po ashtu një deklaratë provokatore e Adës, për të bërë xheloze Bertinën.
Dhe Bertina nga ana e saj pohoi në studion e “Big Brother”, se Erioni ka “shpirt fëmije” duke justifikuar kështu afrimitetin e tij me Oltën apo Adën. Mendoni se ajo e ka njohur Erionin e vërtetë?
Në fakt, për këtë mund të them vetëm që Bertina nuk e njohu anën plot humor të personalitetit të Erionit, ose më saktë e keqkuptoi.
Ndoshta, ky keqkuptim ka ndikuar në sjelljen e saj ndaj Erionit, që shpesh është dukur posesive?
Besoj se po. Ndaj them se mua më ka pëlqyer Bertina në përgjithësi, por ka pasur momentet e saj dhe ajo në të cilat e mërziste Erionin dhe mua që e shihja nga jashtë.
Për cilat raste e keni fjalën?
Në rastet e xhelozisë vend e pa vend, ose në rastet kur thoshte se çdo gjë që ndodhte rreth saj është bërë me shkak nga të tjerët. E të tjera si këto…
E takuat Bertinën personalisht pas daljes nga shtëpia, si t’u duk, çfarë ju tha?
Po e takova për pak momente. Nuk patëm mundësi të flisnim, thjesht u përshëndetëm dhe më duket vajzë simpatike.
Eshtë ajo në shijet e Erionit, duke pasur parasysh preferencat e tij për femrat?
Nëse ishte ajo që zgjodhi në “Big Brother”, atëherë besoj se po.
Ju i keni njohur të dashurat e mëparshme të tij, ka pasur shumë eksperienca dhe a kanë qenë vërtet të bukura, siç ai ka pohuar brenda shtëpisë?
Ka pasur dhe ai ato eksperiencat si çdo i ri. Po ashtu mund të them vetëm që kanë qenë shumë të bukura.
Si silleshin ish-të dashurat me Erionin, kanë qenë xheloze?
Jo, s’besoj pasi nuk i linte vend për t’u bërë xheloze.
Pse si sillet ai?
Ai është i dashur, i përkushtuar dhe i bën ato të ndihen mirë.
Mendoni se Erioni po e harron Bertinën dhe si do ta komentonit afrimin e këtyre ditëve me Oltën?
Ky nuk është një afrim i Erionit me Oltën, por thjesht strategjia e Erionit për të treguar Oltën e vërtetë, të cilën publiku jashtë e njeh, por banorët brenda ndoshta nuk e njohin. Ai Bertinën nuk e ka harruar, pasi e kujton herë pas here, i ka kënduar këngë, dhe i ka shkruar “Më mungon” te krevati i saj.
Eshtë Erioni një natyrë e qëndrueshme me vajzat, a mundet që ai ta konsiderojë Bertinën të dashurën e tij, pas daljes nga shtëpia?
Erioni është njeri i qëndrueshëm deri në pikën që nuk preket personaliteti dhe liria e tij, ndërsa për mundësinë për të qenë të dashur e dinë vetëm ata.
Po prindërit tuaj ç’mendojnë për këtë lidhje?
Prindërit mbështesin vendimet që merr Erioni, si brenda shtëpisë së “Big Brother” dhe jashtë saj. U pëlqen loja e tij dhe janë krenarë për çdo gjë që ai bën, pasi besojnë se është një nga banorët që ka treguar më shumë vlera aty me sjelljen e tij, zgjuarsinë, përkushtimin ndaj Bertinës si e dashura e tij, pra një shembull për rininë shqiptare.
E prisnit largimin e Bertinës dhe cila është pritshmëria juaj për Erionin në këtë garë?
Nuk di ç’të them për largimin e Bertinës, por di që ishte një nominim i fortë. Ndërsa për Erionin mendoj se do të shkojë në finale dhe mund të jetë fituesi.