E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhuliana Jorganxhi - Ju tregoj rininë time të “qethur”



ANI JAUPAJ

E shkuara, ka pushtetin të ngrejë krye edhe atëherë kur përpiqesh ta shmangësh. Sado të shkojnë vitet, janë disa përjetime që mbeten përherë njësoj të ndjera. Nëse kanë zgjatur shumë në kohë, bëhen domosdo më të pashlyeshme. Aq sa vjen koha kur një nevojë përbrenda të klith gjithnjë e më dendur për t’i ‘nxjerrë’ jashtë vetes. Kur ke apo gjen njerëz të tjerë për të ndarë dhembjen, duket sikur lehtësohesh. Këtë ka bërë poetja, shkrimtarja Zhuliana Jorganxhi në botimin e radhës me prozë të shkurtër. Poezia nuk do ta plotësonte mjaftueshëm për të shpërfaqur kujtimet e saj, përjetimet e rinisë, censurat që hasnin në çdo hap. Në librin me tregime, “...edhe ata pinin çaj”,do ngacmohet gjithkush që ka ndarë, apo ka qenë pjesë e historive nga më të çuditshmet. Peripecitë e mbijetesës në Qytetin Studenti, latat shumë të dëshiruara, ‘dushi’ me ujë të ftohtë. Të gjitha këto, pa lënë në harresë edhe njëmijë e një ‘qethjet’ që hasnin të rinjtë në çdo frymënxjerrje. Prej vitit ‘92, kohë kur poetja është larguar nga Shqipëria për t’u zhvendosur në Trieste, duket sikur këto kujtime e kanë ndjekur gjithnjë nga pas. Ju desh ta realizojë që t’i rikthehet dashurisë së parë, poezisë, apo më mirë poezive që ndër vite i kanë dhënë emrin. Sepse projekti që Zhuliana ka në duar, synon pikërisht të përmbledhë tekstet e këngëve të të gjitha viteve, të të gjithë festivaleve, për t’i botuar në një libër shoqëruar nga 2 CD. Por ndërkaq, është duke marrë reagimet e atyre që duke shfletuar librin e saj, ju kthehen atyre viseve aq mirë të njohura.
Flinte brenda jush nevoja për të “zbardhur” të shkuarën në prozë të shkurtër, apo distancimi nga vendi juaj ngacmoi kujtimet e hershme?
Këto tregime “flinin” brenda meje prej vitesh, por vetëm tani mendova që erdhi koha t’ia jap lexuesit. Një komb nuk duhet të humbë kujtesën e tij. Unë nuk kam bërë asgjë më tepër vetëm se i kam hequr pluhurin e viteve një pjese mikroskopike të asaj që kemi jetuar unë dhe breza të tjerë, që siç thotë i madhi E. M. Remark në librin “Asgjë të re nga Perëndimi”, se “edhe nëse nuk u plagosëm nga predhat përsëri mbetëm të plagosur”. No coment!
Kur keni nisur ta shkruani?
Libri përmbledh tregime të shkruara ndër vite. Dy tregimet e para “Pragu” dhe “Lulet e dy shtëpive” janë shkruar dhe botuar në shtypin e kohës në vitet 1969/’70. Tregimet e tjera të librit “…edhe ata pinin çaj” janë shkruar gjatë viteve të fundit.
Në këtë libër thoni se keni zbuluar përjetime të ‘fjetura’, cilat janë disa?
është e vërtetë që në librin “…edhe ata pinin çaj…” kam zgjuar përjetimet e disa brezave që jetuan nën diktaturë. Aty nuk jam vetëm unë. Janë disa breza, që nga ato gratë fisnike të brezit të nënës sime, që nuk e humbën kurrë pamjen dhe sjelljen e tyre aristokratike me gjithë dhunën e egër dhe terrorin që ra mbi to deri tek brezi im, i asaj rinie të viteve ‘60/’70.
Ju shkruani për një kohë, ku jetoi e ëndërroi brezi i shqiptarëve të pasluftës së dyte Botërore. Tentoni të ringjallni përjetime për njerëz, miqësi të dikurshme apo tregimet përmbledhin atmosferën e kohës?
Jam munduar dhe nuk e di sa e kam arritur që të jap atmosferën e asaj kohe, që siç thotë poetja Natasha Lako në parathënie, i përket tani “një planeti të humbur”.
Sa pjesë tuajën ka në dashuritë e ndaluara të tregimeve, apo më mirë sa është libri autobiografik?
Edhe kur shkruhet në vetën e parë kjo nuk do të thotë ngjarjet janë të autorit. Unë kam jetuar gjatë mes rinisë, 15 vjet jetë konvikti s’janë pak. Katër vjet studente dhe pastaj në mungesë të strehimit jetova dhe 11 vjet të tjera mes studenteve në godinën 18 të qytetit “Studenti”. Kjo jetë më pasuroi shumë shpirtërisht, se më njohu me breza studentesh, sa edhe më bëri të vuaj shumë mungesa jetese, që nga të ftohtit e dimrit pa ngrohje, ujin e ngrohtë, qetësinë që të jep një shtëpi e jotja etj. Të gjitha ato mbresa dhe personazhe unë i kam thellë brenda meje. Disa prej tyre janë pasqyruar në këtë libër.
Këto tregime, mbajnë pengun e një bote të pashfaqur ende. Pse u vonuat kaq, për t’i rrëfyer?
Kur shumica e këtyre tregimeve ishin në embrionin e tyre, pra kur unë isha ende e re, as që mund të guxoja t’i mendoja gjatë dhe jo më t’i botoja. Kisha shumë kohë pa u marrë me tregimin, dhe kur shkrova pas kaq vjetësh tregimin e parë, pena eci pak ngadalë, por vura re se në tregimin e dytë eci më shpejt dhe kështu me radhë. Ishin mikeshat e mia të shtrenjta Natasha Lako dhe Eleni Laperi, që më inkurajuan për të shkruar dhe tregimet e tjera dhe unë i falënderoj. Po kështu dhe familja e motrës sime, e cila është lexuesja dhe kritikja e parë e çdo krijimi tim.
“I përkisnim një brezi të ‘qethur’ jo vetëm në flokë”. ç’nënkuptoni?
Do të thotë që jeta e brezit tim ka qenë “e qethur” jo vetëm se kishim mungesa të mëdha materiale, që nga veshja, ushqimi, por edhe ajo shpirtërore. Arti, muzika, letërsia, kinematografia botërore o jepej me pikatore, ose ndalohej si “shfaqje e huaj”. Kështu jeta jonë ishte e kufizuar nga të katër anët. Mjafton t’ju kujtoj se në vëllimin tim të katërt me poezi mezi mu lejuan dy poezi lirike dashurie. Kështu ndodhte dhe me festivalin e funddhjetorit. Lejoheshin vetëm dy këngë dashurie. Ne kemi jetuar absurdin dhe injorancën e ngritur në pushtet. Pas plenumit të 4-t të KQPPSH ndodhi ajo që unë e quaj “abort” në kulturën dhe artin tonë. U hoqën operat e huaja, literatura si Remarku, Heminguej, Gi de Mopasan etj. U dënuan me burg këngëtarë, poetë, piktorë. U pushkatuan në kulmin e rinisë dhe krijimit Vilson Blloshmi, Genc Leka(1977). Poeti Havzi Nelaj u var në mes të Kukësit(1988)! A ka më rini “të qethur” se kjo e jona?!
Liria personale e cunguar vërehet dendur në libër, keni qenë edhe ju vetë e cenuar prej saj?
Unë nuk mund të bëja përjashtim nga brezi im i krijuesve dhe i rinisë sime.
Tregimet, njëri pas tjetrit duket sikur kanë një lloj rrjedhe kronologjike, duke nisur nga qyteti i lindjes, Qyteti Studenti e mandej. është pak jeta juaj në to?
Natyrisht që aty brenda ka diçka nga unë.
Tek rrëfeni për dashurinë në një tregim, përmendni këngën e Batistit, “Non sara un’aventura’. Duket ky varg sikur propozimi kërkon të jetë bindës dhe të bën të mendosh që shumë histori mund të ishin vetëm aventurë. Ndërkaq koha së cilës i referoheni nuk lë hapësirë për shumë të tilla...
Personazhi i tregimit e këndon refrenin për t’i thënë të dashurës se dashuria për të nuk është një aventurë. Sa për dashuri dhe aventura edhe në kohën tonë janë bërë, megjithëse siç thatë ju koha nuk linte shumë hapësirë për to, se dënoheshin si shkelje të “moralit komunist”. Ka njerëz që janë dënuar vetëm se janë ndarë nga bashkëshorti a bashkëshortja, duke rënë në dashuri me një tjetër.
Sot, breza me radhë nuk kanë parafytyrim të qartë për mbrëmjet e dikurshme me alkool e cigare, siç shkruani. Si ishin?
Duhani dhe alkooli në brezin tim (flas për vajzat) pihej shumë rrallë. Pas Plenumit të 4-t edhe duhani dhe “konjaku” për vajzat u bë herezi. Unë tregoj një festë ditëlindje në konviktin e vajzave, ku nëntë veta pinë një shishe me verë treçerek kilëshe dhe kjo gjë bëhet problem. Mbrëmje bëheshin, por këto ishin të organizuara brenda standardit, me muzikë popullore ose shumë shumë, ndonjë melodi vallëzuese valsi a tangoje. Sot rinia ka diskotekat dhe kërcen e këndon gjithë këngët e botës. Jemi si nata me ditën.
ç’përfaqësonte realisht bromuri i kaliumit?
Brezi im është ”mëkuar” tinëzisht me këtë pluhur, që siç kam mësuar “qetëson” gjendjet impulsive dhe ndjenjat instiktive, seksuale.

Botë ‘e qethur’

“Unë kokën e lë të ma presin, por flokët jo!”, kishte thënë një ditë Maku, kur dikush i tha se drejtori do qethte koka, por ja, “viktimë” e fundit e tij ishte edhe ai...Pas asaj ore mësimi, erdhi pushimi i madh. Ne kujtuam se drejtori ishte ‘hakmarrë’ vetëm me klasën tonë, si klasë e Hektorit, por ç’të shihje?! Nga klasa jonë e parë dhe deri tek maturantët, shkolla ato çaste i ngjante një kazerme rekrutërish!
Më ngushtë nga të gjithë e ndjenin veten ata të klasave të larta, në veçanti maturantët. Kishte prej tyre, që dashuroheshin me vajzat e klasës, por kishte edhe nga ata që dashuronin ndonjë nga vajzat tona. Të gjithë ishin ndëshkuar keqas nga drejtori. Të gjithë me siguri ndjeheshin të poshtëruar prej arrogancës dhe egërsisë së tij. Kishim hyrë në jetë dhe ky ishte mësimi i saj i parë :i përkisnim një brezi të “qethur”, jo vetëm në flokë...

“...edhe ata pinin çaj...”

Katër vjet me radhë, Vjollca nuk i ishte ndarë mensës. Për katër vjet, po ai çaj, po ai reçel dhe po ajo djathi, çdo mëngjes...Djemtë e kursit nuk i ngopnin kurrë ato katër copat e bukës, që ju jepeshin si racion. Atëherë, vajzat, që s’mund të hanin më shumë se dy copa, u jepnin atyre me kënaqësi bukën e mbetur. Sa herë, që Vjollca merrte ndonjë honorar nga gazetat, ku botonte tregimet e saj, gjithmonë gjëja e parë që do të bënte, do të blinte një paketë cigare për shokët e saj të kursit. Atëherë ende s’kishin dalë në qarkullim cigaret me filtër. Shumica e djemve që pinin duhanin, blinin cigare nga ato më të lirat, siç ishin ato me emrin ‘Partizani’, kurse Vjollca iu blinte atyre paketa ‘Diamant’ ose ‘Luks’.
Ajo nuk do të harronte atë ditë në aksionin e Mbrostarit, ku punonin për ndërtimin e hekurudhës Fier-Shegan. Jetonin nëpër çadra. Afër çadrës së saj ishte çadra e pedagogëve të Shkencave të Natyrës. Aty ishte dhe nusja e kushëririt të saj të parë, pedagoge kimie. Maria, kishte dy vjet e fejuar me kushëririn e Vjollcës, një inxhinier topograf. Fejesa e tyre po zgjaste për arsye strehimi. Rastisi një ditë, që Maria ishte sëmurë dhe në mbrëmje Vjollca shkoi ta shihte në çadrën e saj. Atë çast një nga shoqet e Maries i solli kësaj një pjatë alumini me çaj. Maria filloi ta trazoj me lugë. Pas pak tha: “S’na u hoq për asnjë ditë ky bromuri i kaliumit këtu në Mbrostar!”
Vjollca u bë kureshtare: “ç’është ky bromur kaliumi që thua?”
“Nuk e shikon këtë pluhur në çaj? Ky është bromuri i kaliumit”, tha Maria dhe shtoi: “është për të na fashitur...”
Atë mbrëmje, Vjollca mësoi për herë të parë pas dy vjetësh studimesh se atë pluhur ngjyrë hiri që ajo për dy vjet e kishte parë të qëndronte i patretur në fund të filxhanit të çajit dhe kishte kujtuar që i kishte rënë nga kuzhina, ishte bromuri i kaliumit, i cili sipas Maries, ‘fashiste ndjenjat., i bënte njerëzit që e pinin inertë”.
“Na e japin, i kishte thënë ajo, që as djemve mos t’iu shkojë mendja për ne, as neve për ata...”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›