E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erjon Bogdani “harron” juristen për gazetaren e AlSat

 

ornela caci

Ka tetë vite që jeton në Itali dhe tashmë është një futbollist i famshëm. E kemi fjalën për Erjon Bogdanin, sportistin e Kombëtares tonë, i cili luan në Itali. E nëse në Itali ai bën një jetë të kujdesshme, pasi e di mirë se është gjithë kohën i vëzhguar, ashtu siç është shprehur edhe vetë në një intervistë, në fakt Erjoni nuk duhet as ta çojë nëpër mend se në Tiranë ai do të jetë më pak i vëzhguar. Pasi si personazh VIP nga bota e sportit, gjithçka që ai bën edhe jashtë fushës së blertë është me interes për të gjithë fansat dhe njerëzit që e pëlqejnë atë. Pak ditë më parë, Erjoni ra në grackën e paparacit tonë, në një nga lokalet e natës së Tiranës. Vajza që ai kishte zgjedhur për të qenë në krah të tij atë natë nuk ishte nga bota e spektaklit por... kujdes... ajo ishte kolegia jonë, pikërisht një gazetare. Siç e shikoni edhe nga fotot, Vilma, gazetarja e kulturës në AlSat, duket se ka mjaft konfidencë me futbollistin e famshëm, pasi ata të dy rrinin mjaft afër njëri-tjetrit, dhe Erjoni i hidhte herë pas here dorën në qafë Vilmës. Në fakt, një vajzë aq e bukur si Vilma, kujt nuk do ia prishte mendjen. Nga sa mundëm të mësojmë, Vilma sot është 25 vjeç dhe mesa duket bukuria e saj nuk ka rënë në sy tani, por vite më parë, pasi ajo në vitin 2004 ka dalë shoqëruesja e parë e “Miss Albania”. Natyrisht fakti që një gazetare kulture dhe një personazh publik janë në shoqërinë e njëri-tjetrit, nuk është ndonjë çudi, por fakti që ata gjenden në një lokal nate dhe të kapur për qafe, në fakt ca dyshime na i krijon. Për jetën private të Vilmës nuk kemi ndonjë informacion, ndërkohë që në një intervistë të gjatë për “Panorama” pak javë më parë, Erjoni tregon se ka tre vite që është i lidhur me një juriste italiane me emrin Rosella dhe se së shpejti të dy kanë vendosur që të bashkëjetojnë nën të njëjtën çati, pasi sipas Erjonit, “ka ardhur koha për të bërë pak jetë familjare”. Martesa për të është një plan i largët, ndërkohë që nuk e mendon për asnjë moment se një ditë mund t’i prishet mendja për t’u kthyer përgjithmonë në Shqipëri. Në atë intervistë, Erjoni përgënjeshtron të gjitha lajmet e kronikave rozë, ku thuhej se ai tashmë ishte ndarë nga Rossela, duke na premtuar që në fund të gushtit do e sillte atë në Tiranë. Mirëpo jo vetëm që nuk e solli juristen e tij, por tani ai po del me një vajzë shqiptare, e cila për nga hiret besojmë se nuk mund t’ia ketë zili asnjë vajze tjetër, qoftë kjo edhe një juriste italiane. Të shohim se çfarë do të ndodhë më pas me miqësinë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›