E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosta vdiq, po ne?

Brisida Gjikondi 

Kushtetua e Republikës së Shqipërisë, Kodi i Procedurave Penale, Kodi Penal Ushtarak, akte ndërkombëtare të ratifikuara me shumë zell e devotshmëri nga shteti shqiptar, ndoshta nuk u zbatuan aq sa duhet nga institucionet përkatëse në rastin e zotit Kosta Trebicka. Legjislacioni shqiptar ofron hapësira të bollshme për të ruajtur dhe garantuar integritetin fizik të dëshmitarëve VIP si zoti Trebicka. Çfarë nuk funksionoi ose çfarë statusi kish Kosta Trebicka, si e kish kategorizuar dhe vlerësuar Prokuroria e Përgjithshme dëshminë e zotit Trebicka, po për jetën e tij dhe të familjes së tij konform akteve ligjore që i ofrojnë mbrojtje dhe status të posaçëm  dëshmitarëve kyç si ai, a ish proceduar për ta marrë nën mbrojtje atë, jetën e tij, qoftë dhe nga vdekje aksidentale?!! Nëse jo, pse JO..?!! Këto dhe shumë pyetje të tjera mbërthejnë çdo jurist dhe shqiptar, e përgjigjet për hir të së vërtetës të trembin, shumë. Të trembin, pasi dëshmitarë si zoti Trebicka, s'mund të humbnin jetën pikërisht tani, tani që po ziente dynjaja dhe që hetimi i çështjes së Gërdecit me hap paksa të avashtë po fillonte të ecte. Pasi për ironi të fatit pushimet verore bënë të tyren dhe në një shtet me drejtësi të munguar si Shqipëria. Pushimet dhe shumë faktorë të tjerë fatkeqësisht punuan në të keq të fatit të zotit Trebicka dhe shumë provave të rëndësishme që kanë të bëjnë direkt me çështjen Gërdeci, pasi Gërdeci vret akoma. Çdo jurist, qoftë ky dhe mediokër, njeh vlerën e faktorit kohë në hetimin e çështjeve penale, sidomos të veprave penale të cilësuar si kjo e Gërdecit. Kalimi i kohës punon në disfavor të veprave penale dhe kjo jo vetëm për çështje afatesh procedurale, por kryesisht dhe cilësisht për ruajtjen e dëshmitarëve, dëshmive dhe provave. Zoti Trebicka duhej të ish në ruajtje të posaçme ligjore, ai nuk mund të humbte jetën aksidentalisht askund, Shqipëria që kërkon të rilindë nuk e kish atë luks. Kosta Trebicka dhe kurajoja e tij vdiq, po ne...?!!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›