Nuk i dha raportin, sulmon mjeken roje me grushte
BERAT - Një mjeke në Berat është goditur me grushte nga një pacient, pasi ajo refuzoi t'i jepte një raport ku ai të mund të justifikonte mungesat në punë. Ngjarja ndodhi dje, kur sipas policisë 30-vjeçari Afrim Çaçi dhunoi mjeken Ermira Prifti. Babai i dy fëmijëve, banues në lagjen "Barikadë" në Berat mësohet se është paraqitur në orët e paradites në qendrën shëndetësore nr.3. Por pasi është vizituar ai ka debatuar me personelin dhe mjeken Prifti, të cilët refuzuan t'i japin atij një raport mjekësor në të cilën të konfirmohej se Çaçi ishte i sëmurë. Sipas burimeve të policisë, që bazohen edhe në dëshmitë e personelit dhe të mjekes së dëmtuar në qendrën shëndetësore, fillimisht 30-vjeçari kishte dëmtuar orenditë dhe pajisjet mjekësore. Më pas ai kishte thyer edhe derën e qendrës shëndetësore. Por agresiviteti i tij nuk mbaroi këtu. Ai nisi të gjuajë me grushte mjeken 54-vjeçare. Nëna e dy fëmijëve është bërë viktimë e këtij sulmi, ku për pasojë, ka marrë goditje në trup nga agresori. Personeli mjekësor, por edhe vetë mjekja e dëmtuar deponuan për policinë që mbërriti në vendin e ngjarjes se 30-vjeçari kishte provokuar debat me ta. Të njëjtën gjë konfirmuan edhe disa pacientë, të cilët ndodheshin në qendrën shëndetësore në momentin e këtij incidenti. Pas ngjarjes Çaçi është larguar duke i shpëtuar prangave. Policia pohoi se, autorin e ka shpallur në kërkim, ndërkohë që mjekja nuk ka pësuar dëmtime të rënda. Tashmë Afrim Çaçi akuzohet për veprën penale të "Goditjes për shkak të detyrës", "shkatërrim të pronës" dhe "prishjes së qetësisë publike". d.xh