E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erjon Bogdani, vazhdon seria e ndeshjeve jobindëse

Albania-Sport - Ka qenë një tjetër ditë "jo" e diela për sulmuesin shqiptar të Kievos, Erjon Bogdanin, i cili vazhdon të jetë në kërkim të golit me skuadrën veroneze, pas transferimit nga Siena në janar, ndërkohë që të besuarit e trajnerit Luixhi Del Neri kanë arritur një rezultat pozitiv në Palermo, duke marrë një pikë mjaft të vlefshme nga ai barazim 1-1. Shtatlarti i sulmit të Kombëtares kuqezi është eklipsuar sot nga kolegu i tij me ngjyrë i sulmit, Obina, i cili ka qenë edhe autori i golit të barazimit të skuadrës mike nga Verona.
Trajneri Del Neri ka vijuar t'i besojë shqiptarit në sulm, përkrah Obinasë, por ka qenë ky i fundit që ka spikatur, ndërsa Bogdani është zëvendësuar nga Kosato, 6 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt. Ndonëse vendasit kaluan në epërsi pas 23 minutash lojë, me anë të David Di Mikeles, Kievo vazhdoi të këmbëngulte në drejtim të portës kundërshtare dhe vetëm pesë minuta para përfundimit të pjesës së parë, një Obina në formë të shkëlqyer shërben mirë për Bogdanin, që neutralizohet po kaq mirë nga Kasani i Palermos.
Obina ka vijuar të gjejë golin e barazimit në minutën shtesë të pjesës së parë, ndërsa rasti tjetër për të spikatur për Bogdanin do të ishte ai i minutës së 75-të, kur shqiptari nuk do të arrinte të përfitonte nga një harkim i bukur i Semiolit. Nëntë minuta më vonë, Del Neri do ta tërheqë Bogdanin për të futur në lojë Kosaton dhe vlerësimet e specialistëve, pas ndeshjes, nuk do të ishin edhe aq dashamirëse nga sulmuesit shqiptar të Kievos.
Madje, faqja prestigjioze, tgcom.it, do ta vlerësonte shtatlartin me notën më të ulët të dhënë për lojtarët e Kievos (5), të shoqëruar me komentin: "Mbase jashtë formës së tij, shqiptari nuk arrin të shfrytëzojë me kokë disa topa të lartë shumë interesantë". Pavarsisht nga pika e marrë ndaj Palermos, Kievo ndodhet ende në pozitë të vështirë në renditje, pasi mban vendin e 17-të në renditje, me 19 pikë, kur kanë mbetur edhe 15 javë deri në përfundim të kampionatit. Të shtunën e ardhshme, në ora 18:00, Kievo do të presë në fushën e vet Torinon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›