E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon fushata për pranim të Kosovës në FIBA

Federata e Basketbolli të Kosovës në vazhdën e përpjekjeve për anëtarësim në organizatën botërore të basketbollit FIBA, ka aranzhuar edhe një takim me zyrtarët e kësaj të fundit. Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu dhe anëtari i bordit Blerand Stavileci do të takohen të martën në Athinë me kryetarin e FIBA Evropa dhe njëherësh nënkryetarin e FIBA Bota, George Vassilakopoulos. Lajmin e ka bërë të ditur të dielën Federata e Basketbollit të Kosovës në një kumtesë të botuar në faqen zyrtare të internetit.
"Në këtë takim delegacioni kosovar do të njoftojë njërin ndër personalitetet më të larta të basketbollit botëror për basketbollin kosovar dhe do të kërkojë prej tij mbështetje për pranim në FIBA, që në mbledhjen e parë të radhës së bordit Qendror të FIBA-s, që mbahet më 2 mars 2007 në Madrid, ku në rend të ditës do të jetë edhe kërkesa e FBK për pranim në FIBA", thuhet në kumtesën e FBK-së.
Ditë më parë Federata e Basketbollit të Kosovës kishte dërguar edhe kërkesën zyrtare FIBA-s që Kosova të bëhet anëtarja e 215-të e organizatës botërore të basketbollit, ndërsa pas kësaj ka ardhur edhe konfirmimi se kjo kërkesë do të shqyrtohet në mbledhjen e bordit të FIBA-s që do të zhvillohet më 2 mars në kryeqytetin spanjoll, Madrid.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›