E Diel, 1 Nëntor 2026

Erjon Braçe, si sankuloti i Ramës

14-05-2011 / Redaksionale

Dje, në ditën e pestë të procesit të numërimit, ku e gjithë vëmendja është përqendruar tek kutitë e fundit të numëruara, një njeri e ka pasur mendjen jo tek votat, por tek numëruesit. Ai njeri është sankuloti i Ramës, Erjon Brace, i cili ka cilësuar numëruesit e Partisë Demokratike si “keqbërës”. Deputeti i qarkut të Beratit, revolucionari i parruar Brace në një komunikim për mediat ka etiketuar 5 përfaqësuesit e PD-së në njësinë nr. 5 si kriminelë të dërguar posaçërisht aty nga kryeministri Sali Berisha për të deformuar procesin zgjedhor. Nën përvojën soc-komuniste z. Brace u ka bërë këtyre 5 numëruesve biografinë jo vetëm politike, por edhe jetëshkrimin biologjik duke u përmendur gjithë farefisninë. Sipas Braçes janë njerëz të njollosur, të padenjë.
Edhe pse fjalët e deputetit Brace janë për konsum politik, në të vërtetë ato fjalë fshehin një racizëm të ndaj tjetrit, duke u sjellë nga paragjykimi më tipik të paranojës, që ushqehet nga frika. Është frika se njësia nr. 5 nuk po jep prodhimin e parashikuar të votave pro Edi Ramës. Hambari po shfaqet si një grazhd pa ushqim. Prandaj kanë kërkuar mobilizim të militantëve përreth Shkollës “Vasil Shanto”. Janë pjesë e presionin psikologjik për të pasur një tensionim të mëtejshëm të kontestimit në rast humbje. Frymëzuesi i kësaj alternative është Edi Rama, i cili në daljen e fundit për shtyp tha “se do të fitoj, por me rezultat të ngushtë”. Kësisoj nëse nuk fiton, gjithçka të bën të mendosh se kontestimi do të ndizet sapo të kuptohet trendi i humbjes. Afërmendsh këtë duan të shmangin ndërkombëtarët që kanë hyrë në fushë për të qenë realisht arbitër të procesit zgjedhor. Kush kishte deri më tani idenë se arbitër ndërkombëtarë do të thotë të shkruash vetëm raporte ka gabuar, sepse ambasadorët dhe vëzhguesit ndërkombëtarët na treguan të kundërtën. Ata janë shumë të angazhuar në ç’aktivizim të çdo destabiliteti që prodhohet nga faktorët politikë, prandaj bëjnë vizita të rrufeshme. Natyrisht ambasadorët janë të frikësuar nga thirrjet e PS-së për një rrethim të KZAZ nr.49. sigurisht ata kanë marrë siguri nga kryeministri Berisha se do të respektojë çdo rezultat të dalë nga numërimi i çdo vote.
Megjithatë është e dukshme se “beteja” në njësinë numër 5 sa vjen dhe ashpërsohet verbalisht. Ndërsa kandidatët janë me diferencë të ngushtë votash në total, njësia bashkiake numër5 do të përcaktojë fituesin përfundimtar, Ramën ose Bashën. Gjithsesi është ende aktive mallkimi se “Blloku do të vendosë sërish të sotmen tonë”. Kjo është edhe frika më e madhe që kanë demokratët për rezultatin e zonës së Blloku, cka do të thoshte që njerëzit e “bllokut” do të vendosin së kë do të kemi në krye të Tiranës, përballë sfidave më të rëndësishme të vendit. 
Sidoqoftë nëse ka një fitues moral të kësaj beteje për Tiranë, ai është padyshim Lulzim Basha. Kundër Bashës, ka qenë së pari i gjithë fronti mediatik i opozitës për shkak se kuptuan se sa kandidat i vështirë ishte për ta. Prandaj edhe organizuan 21 janarit: qëllimi i tyre ishte që ta nxirrnin jashtë loje. E akuzuan vrasës, hajdut, killer, etj. Rama përgjatë fushatës nuk denjoi as ta përmendë Bashën si emër, por u mor me kryeministrin Berisha, që ai e shkurton “Saliu”. Në fakt frika e Ramës siç e tregoi 21 Janari asnjëherë nuk ka qenë “Saliu” por vetë Lulzim Basha. Së dyti kundër Bashës ka punuar zellshëm kombinati mediatik i shpifjes, të cilët kanë gërmuar në të kaluarën e hershme në Holandë, në Kosovë, kudo që ka shkelur vetëm për ta djegur si figurë politike të besueshme. Ai është vetëm  një politikan 36 vjeçar, ka sjellë staturën dhe kulturën e një politikani modern perëndimor. Të presim fitoren.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›