Edi Rama zyrtarizon refuzimin e zgjedhjeve

Mbrëmë, Edi Rama kuptoi se kryeqyteti e kishte refuzuar dhe nisi aksionin e prishjes së zgjedhjeve, përmes bllokimit të procesit dhe delegjitimimit të rezultatit. Me Erion Braçen fillimisht e me një numër deputetësh më vonë, ai ka nisur prodhimin e alibisë për të mos e pranuar humbjen
Diferencave e votave midis kandidatëve për kryetar të bashkisë së Tiranës, nuk i ka pëlqyer Edi Ramës. Duke parë që numërimi i kutive të mbetura në KZAZ-në Nr. 49, që korrespondon me Njësinë Bashkiake Nr. 5, konfirmon humbjen e Edi Ramës, ai mbrëmë paralajmëroi refuzimin për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë. Sigurisht, për këtë refuzim, kishte bërë gati edhe pretekstin, bashkë edhe me altoparlantin që do të zhurmojë mosnjohjen e zgjedhjeve. Për sa i përket pretekstit, gjetja e Edi Ramës mbrëmë, ishin “fletët e pavlefshme”. Nën pretendimin se po kontestohen nga vëzhguesit votat në favor të tij, Edi Rama nxori dy herë, brenda një kohe të shkurtër Erion Braçen, për të zhurmuar, paralajmërimin për mosnjohjen e rezultatit. Pa sjellë asnjë fakt, apo dëshmi, por duke u nisur nga ëndrrat me sy hapur, që vazhdon të shoh Edi Rama, Erion Braçe mbrëmë zhurmoi me një gjuhë kërcënuese, pretendimin për “fletë të pavlefshme”. Ndërsa ëndrrat që i sheh vetëm Edi Rama dhe që i zhurmon vetëm Erion Braçe, nuk kapërcejnë kufijtë e vetëm një ëndrre, ajo që të bën përshtypje dhe që nuk mund të anashkalohet, ka të bëjë thjesht dhe vetëm me sjelljen e Edi Ramës, i cili ndërsa korr njëra pas tjetrës humbjet politike, në garat elektorale, vazhdon të mos heq dorë, nga mospranimi i humbjes. Dhe jo vetëm kaq. Por, duke ditur se problemi më i madh i Edi Ramës, është pasiguria që ai ndjen në krye të PS-së, ku me shumë gjasa do ti duhet të përballojë një llogaridhënie të radhës, për humbjen e radhës, Edi Rama po bën gati alibinë për mosnjohjen e radhës së rezultatit të zgjedhjeve të humbura të radhës. Në këtë kontekst, skenari i tij, nuk ndryshon aspak, nga ai që të paktën ka aplikuar dy vitet e fundit, pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Sikurse edhe në dy vitet e shkuara, ashtu edhe për dy vitet e ardhshme, në qendër të “lëvizjes politike” të Edi Ramës, sërish do të jetë “kontestimi i humbjes” së radhës së tij, bashkë edhe me tentativën për tensionimin artificial të situatës. Duket, se në këtë tentativë të radhës së Edi Ramës, për të ripërsëritur të njëjtin avaz, të “mosnjohjes së zgjedhjeve”, as drejtues të PS-së nuk e marrin më seriozisht, kryetarin e tyre. Kjo, u duk më së miri mbrëmë, kur ndërsa asnjë nga drejtuesit e PS-së, qofshin këta edhe deputetët-vëzhgues, nuk “morën mundimin” të konfirmonin pretendimet e Edi Ramës, vetëm Erion Braçe i kishte ngelur mbrëmë ti mbante ison humbësit patologjik të zgjedhjeve në Shqipëri.
...