Edi Ramën e pashë shumë të lodhur, edhe Braçen - u kërkova të qetësoheshin

-- Ambasadori Arvizu, sërish mbrëmë tek njësia bashkiake nr.5: “Po pres të uroj fituesin e zgjedhjeve”
-- Ambasadori i OSCE Eugen Wollfarth: “Procesi i numërimit po ecën intensivisht”
Sërish në fokus KZAZ nr. 49 në njësinë nr.5 në Tiranë, ku në orën 22.20 të mbrëmjes së djeshme, është parë të afrohej ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, për të ndjekur nga afër procesin së bashku me përfaqësuesit e OSBE/ODIHR. Ndërsa pesë ditë kanë kaluar nga 8 maji, dita në të cilën qytetarët shprehen vullnetin e tyre, jo pak komente ka pasur mes palëve. Për një proces të qete, të denjë dhe në përmbushje me standardet ndërkombëtare, Arvizu lëshoi edhe dy ditë më parë kur mbërriti në këtë KZAZ, se procesi i votimit duhet të vazhdojë me korrektësi. “Është për të ardhur keq që këtu është ndërprerë numërimi. Jam përpjekur të bisedoj më të dyja palët. Kam besuar me ekipin e Ambasadës amerikane dhe ato të OSBE, kam biseduar edhe me zotin Rama. Konfuzioni qëndron në këtë pikë se palët akuzojnë njëra tjetrën për vlefshmërinë e votave. Nëse vërtetë vihet në pikëpyetje fleta e votimit, ka mënyra të tjera për t’i ngritur këto pikëpyetje dhe jo duke ndërprerë votimin. Besoj që gjithë njerëzit janë të lodhur, ndërmjet tyre më të lodhur janë monitoruesit dhe media. Unë e takova edhe Edi Ramën. E gjeta me një kollë të fortë dhe jashtëzakonisht të lodhur. I kërkova të qetësohet për pak kohë” - u shpreh Arvizu. Ndërsa theksoi respektimin e standardeve të OSBE/ODIHR. Edhe dje në orët e vona të natës, ambasadori amerikan shprehu rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë zgjedhjet vendore të 8 majit për ecurinë e ardhshme integruese evropiane të vendit tonë. Diplomati i SHBA-ve ka dhënë dhe një deklaratë për mediat, duke kërkuar që, palët politike të gjejnë një rrugë të përbashkët për të rinisur numërimin me qëllim finalizimin e këtij procesi të tejzgjatur. Arvizu vlerësoi procesin si tepër korrekt, pasi siç tha ai, numërimi ka qenë nën monitorim të rreptë të vëzhguesve ndërkombëtarë. Ai deklaroi gjithashtu se do përgëzojë fituesin kur ky proces të përfundojë.
Ambasadori i OSCE Eugen Wollfarth: “Procesi i numërimit po ecën intensivisht”
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth është paraqitur dje që në orët e para të mëngjesit në KZAZ-në 49, në njësinë bashkiake nr. 5, për të parë nga afër nisjen e procesit të numërimit. Pas ndërprerjes së numërimit gjatë orëve të vona të të enjtes në mbrëmje, ambasadori Wollfarth është rikthyer sërish dje në mëngjes, në njësinë 5, duke vëzhguar numërimin e 16 kutive të fundit të cilat do të përmbyllin edhe procesin e zgjedhjeve. Ambasadori Wollfarth theksoi se numërimi është duke u zhvilluar me një intensitet të lartë. “E admiroj punën që po bëjnë komisionerët, atmosfera ishte e nxehtë mbrëmë. I respektoj përpjekjet për të numëruar me përpikmëri çdo votë të vetme”, theksoi Wollfarth duke shtuar se shpreson se së shpejti të ketë një rezultat të saktë. Sipas tij procesi i numërimit është i mirë por raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it do ta përcaktojë më mirë se si ka vijuar procesi. I pyetur nga mediat se, nëse do të ketë kontestime pas shpalljes së rezultatit, ambasadori Wollfarth theksoi se kjo do të varet nga konstatimet që do të bëjnë kandidatët, por sipas tij e rëndësishme është që të ketë rezultate solide dhe kjo sipas tij varet nga një proces i mirë numërimi. Ndërsa i pyetur se sa mund të ndikojnë zgjedhjet për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, ambasadori Wollfarth theksoi se kjo do t’u lihet përfaqësuesve të BE-së ndërsa shtoi se sa më lehtë të jetohet demokracia aq më lehtë janë hapat e mëtejshme për vendin. “Po janë tregues por kjo do tu lihet përfaqësuesve të Bashkimit Europian”, theksoi më tej Wollfarth. Ambasadori i OSBE-së deklaroi se zgjedhjet do të jenë një tregues i mirë për funksionimin e demokracisë në vend.
...