Erjona Kakeli: Nuk e harroj momentin si u këputa kur më thirrën shoqja Ganimet
Eksperiencat e saj në film kanë startuar disa vite më parë, e ndërsa prej disa kohësh po shijon edhe skenën e Teatrit Kombëtar. Për aktoren Erjona Kakeli, teatri është një kënaqësi shpirtërore. Këto ditë ajo po vjen para publikut në një vepër të suksesshme
teatrore, Darka e gabuar, ku aktorja vjen me disa role. Duke e vlerësuar pjesëmarrjen e saj në këtë vepër teatrore, aktorja pohon se interpretimi në këtë vepër i ka falur kënaqësi, por dhe emocione. Aktorja Erjona Kakeli i takon atij brezi aktorësh që padyshim kanë për të sjellë diçka të re dhe të bukur në skenën teatrore,e ndërkohë që po i ngjit me sukses shkallët e karrierës së saj. Bashkëpunimi i saj me ikona të kinematografisë dhe teatrit tonë, siç i cilëson Kakeli, e motivon për të punuar më shumë dhe për të treguar se ia vlen që të interpretojë përkrah tyre. Sipas Erjonës dera për të hyrë në teatër është shumë e vogël, duke parë prurjet mëdha që çdo vit sjell, e pikërisht për këtë arsye ajo e konsideron veten të privilegjuar që gjendet aty. Por çfarë i ka falur deri tani karriera artistike, ajo na zbulon në vijim të kësaj interviste.
-Para publikut u prezantuat në veprën Darka e gabuar, çfarë mund të na thoni rreth interpretimit tuaj në këtë vepër, e cila tashmë po prezantohet me sukses në skenën teatrore?
Ne jemi dy aktore të vetme femra, që janë në këtë vepër teatrore. Që në roman të Kadaresë, nëna dhe vajza përmenden shumë pak. Është hera e parë për mua që unë punoj me një shfaqje kaq masive dhe në fillim se si ndihesha, pasi dhe regjisorin Fatos Haxhiraj nuk e njihja. Nuk kisha punuar me atë, pasi ai nuk ka qenë në Shqipëri për një periudhë kohe prej 20 vitesh. Megjithatë ai për mua ishte një mjeshtër i detajeve, apo gjërave që janë të tepërta. Nëse kjo shfaqje ka pasur sukses është meritë totalisht e tij. Ai ishte shumë kërkues dhe deri në provën gjenerale ne kemi punuar shumë.
-Në këtë vepër ju vini me personazhe të ndryshme, vajza e mjekut, plaka në fshat, zonja Ganimet, infermierja. Si jeni ndjerë?
Unë e kam shijuar shumë këtë vepër, ndoshta dhe për faktin se unë vija me disa personazhe para publikut. Më shumë të vështirë që të interpretoja unë e kam pasur plakën. Kjo për faktin, që në aq pak fjali ti duhej të jepje edhe moshën dhe karakterin, sa më afër vetes ti kesh rolet në moshë aq më kollaj është dhe ti interpretosh. Por rolin e plakës Selfixhe unë e kam shijuar më shumë nëpërmjet Marianës, më pas ishte dhe roli i vajzës që unë e kisha me shumë dëshirë dhe për vetë faktin të mendosh që me pak tekst duhej të jepje frikën që kishte për kolonelin gjerman, atë marrëdhënien pak të vogël me babain,ose në momentin final që mendohet se i ka helmuar vajza, a janë në gjumë apo kanë vdekur, edhe atë e shijoja, por ajo që unë kam bërë më shumë me qejf ka qenë ecja e zonjës Ganimet (qesh). Aty është një Erjonë që kënaqesh kur e sheh, por dhe Mariana më ka ndihmuar shumë për këtë rol, pasi ajo luan Trëndafilen në vepër dhe është e kundërta e Ganimetes. Për të gjitha këto unë them se regjisori ka qenë fantastik. Unë u mundova që në çdo personazh, të mos njihesha si Erjonë, por të isha një Erjonë ndryshe në ato pak role që unë kisha. Edhe infermierja ishte një kënaqësi më vete, pasi ishim nga ato infermiere që nuk e kuptonim rendin e ri. Me këtë vepër ka qenë një punë me të vërtetë e këndshme.
-E ndërkohë, si e vlerësoni ju këtë vepër sa i takon asaj pjese të dramaturgjisë shqipe që duhet të vijë në skenën teatrore?
Një sukses të veprës unë mund të quaj dhe Kadarenë, i cili hyn në shijet e mia. Suksesin e veprës unë ia dedikoj atij dhe regjisorit Haxhiraj. Nga ana tjetër vërtetë që mungon drama shqipe në skenën teatrore, dhe për problematika shqiptare qoftë dhe të kohës. Por në logjikën time unë mendoj se do të ishte shumë mirë nëse do të rihapej dega e dramaturgjisë. Ka qenë në fakultet, ku mësonin se si të shkruanin ose se si të krijonin drama, por ka qenë dhe menaxhimi i artit. Ka ardhur një kohë që shpresoj se do të kthehet vëmendja tek arti shqiptar, që ne duhet të kemi një lloj statusi dhe menaxhimi. Pra po të kemi një status, si rrjedhojë vjen dhe një menaxher, dhe më parë në akademi ka qenë dhe menaxhimi i artit si lëndë, por nuk ka më. Bota kështu po funksionon, këtë e kërkon dhe vetë koha. Sigurisht që kanë edhe teatro nacionalë, që janë të paprekshëm dhe askush nuk kthehet që të shkatërrojë teatro të tillë, por mendoj që nëse do të kthehej vëmendja dhe do të zhvilloheshin këto atëherë do të kishte dhe hapësira për dramën shqipe, pasi dhe skenarët e filmave janë shqip dhe nëse kjo do të zhvillohej do të kishte dhe një buxhet më të madh.
-Në vijim të aktivitetit tuaj artistik ju para disa kohësh ishit dhe tek Elektra. Si u ndjetë tek vepra e Sofokliut?
Kjo ka qenë një nga punët e mia, që unë kam marrë një ndjesi ndryshe. Kjo për faktin se ishte një punë në grup dhe ne vinim me shumë dëshirë në prova dhe iknim duke thënë si mbaruan provat dhe kjo ndodh shumë rrallë që ta thuash këtë. Ndodh rrallë që të kesh këtë lloj etje, për të qenë aty. Sigurisht që kjo është meritë e regjisorit Adonis Filipi për të qenë aty. Sa i takon këtyre veprave unë do të thosha që ka qenë një shkollë për mua. Ne jemi ndjerë shumë mirë me këtë vepër dhe mezi po presim që ta luajmë sërish, sepse kjo vepër do të shfaqet dhe në festivalin teatror të Butrintit. Më pas ndoshta mund të udhëtojmë me këtë shfaqje dhe në qytetin e Ohrit.
-E ndërkohë që për publikun ju jeni njohur dhe në disa prodhime kinematografike. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju?
Është një kënaqësi interpretimi në film dhe është shumë ndryshe. Dua të them që një aktor p.sh si Ndriçim Xhepa, një aktor që ne e njohim shumë në ekranin shqiptar me filma, por ai gjithashtu është dhe një aktor i mrekullueshëm i teatrit. Për mua ai si aktor hyn tek të pazëvendësueshmit. Duke qenë se unë filmat i kam bërë para disa vitesh,janë filma të cilat pothuajse mbeten vetëm në kinema dhe shumë pak jepen në televizion. Publiku e ka shumë të vështirë që ne të na fiksojë si aktore filmi ose të teatrit, pasi shumë nuk jepen në televizion, por kam përshtypjen se unë quaj veten me shumë fat që arrij ti bëj të dyja. Shumë aktorë do të kishin dëshirë që të bënin dhe filmin dhe teatrin, janë të ndryshme, kanë lidhje me profesionin por janë ndryshe, pasi ndryshe je në skenë dhe ndryshe je në ekran, po ashtu dhe nga ana e krijimit të figurës, etj.
-Roli që ti mendon se duhet të jetë në karrierën tënde, por deri tani nuk e ke arritur?
Kam vite që merrem me aktrimin, kam filluar që të loz në skenë që në Akademinë e Arteve, ku në vitin e katërt ne kemi mbrojtur dhe diplomën me Shekspirin, por vitet e shkollës luajnë një rol të rëndësishëm. Në teatrin e Elbasanit e kam nisur me një rol të vogël dhe më pas kam kaluar tek role më të mëdha. Sa i takon Teatrit Kombëtar, nuk kam dhe shumë kohë që jam bërë e brendshme, sepse kam pasur projekte teatrore dhe më parë, kështu që unë jam partizane e gjërave shkallë-shkallë. Sigurisht që në egon tonë është që të kemi role sa më të vështira, drama sa më të vështira, aq më sfiduese janë këto për një aktor dhe krijon personazhin, realizon këtë rol dhe ti gjithmonë shikon se cila do të jetë sfida tjetër. Nuk mund të kesh preferencë përderisa neve këtë punë bëjmë. Preferenca ime është që të kemi sa më shumë personazhe.
-Sa e vështirë ka qenë për ju që të arrini deri këtu, pasi ju keni provuar dhe gazetarinë. Ku jeni ndjerë më mirë në gazetari apo si aktore?
Sigurisht që këtu ku unë jam tani ndjehem shumë më mirë. Besoj se jo vetëm unë, por të gjitha ata që e mbarojnë këtë shkollë, ëndrra e tyre është që të jenë aktore të një institucioni. Teatri Kombëtar është ëndrra, porta që hapet për të realizuar ëndrrën që ke, por nuk e mohoj që kanë qenë eksperienca të veçanta edhe prezantimet e ndryshme që unë kam bërë në televizion. Kjo në fakt ka qenë dhe një formë mbijetese, sepse u mbyllën në atë kohë dhe kompanitë teatrore priv