E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi serbëve: Bojkotoni zgjedhjet

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas vizitave të zyrtarëve dhe politikanëve serbë në Kosovë, që bëjnë fushatë elektorale për zgjedhjet serbe në veri. Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, këta zyrtarë kanë ambicie të sëmura. Fuqia e institucioneve të Kosovës

është më e fortë se ambiciet e sëmura të liderëve politikë nga Beogradi, që pretendojnë të marrin vota nga Kosova, deklaroi Kuçi për mediat kosovare. Sipas tij, kjo fushatë elektorale i bën dëm Serbisë dhe serbëve të Kosovës, të cilët me vetëdëshirë izolohen në geto. Zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se politika serbe vazhdon të mbetet në shkallën e spastrimit etnik. Synimet e Serbisë kanë qenë dhe mbeten deri në shkallë të spastrimit etnik, deri në shkallë të zhbërjes së shtetit të Kosovës, por këto politika nuk do të jenë të suksesshme as tash as në të ardhmen, ka thënë Kuçi. Ai ka ftuar serbët e Kosovës që të mos dalin në zgjedhjet serbe këtë të diel, duke porositur se ato nuk kanë fuqi. Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se Serbia po vazhdon me logjikën e njëjtë të veprimeve sikur në kohën e Milosheviçit, veprime këto që nuk i ndihmojnë jo vetëm raporteve Kosovë-Serbi, por as pozitës së minoritetit serb në Kosovë.

EULEX, i vendosur për hetimin e korrupsionit në Kosovë
Zëvendës-shefi i misionit të BE për sundimin e ligjit, Roy Reeve ka theksuar se procesi i hetimeve për rastet e mëdha të korrupsionit në Kosovë do të vazhdojë. Ai paralajmëroi se në javët e ardhshme EULEX do ta bëjë të qartë se nuk ka për objektiv vetëm zyrtarët e lartë ose ministrat e Qeverisë së Kosovës. Të mos përqendrohemi vetëm në zyrtarët e lartë. Do të ketë edhe raste të tjera në javët e ardhshme ku do ta bëjmë të qartë se ne nuk i kemi objektiv vetëm zyrtarët e lartë të qeverisë ose ministrat e lartë të qeverisë. Kjo është një çështje shumë e gjerë. Dhe kur rastet të jenë të gatshme për të proceduar me hetime zyrtare atëherë kjo do të ndodhë, do të ecim përpara, veçoi ai. Reeve tha se hetimi në njërën nga ministritë e Qeverisë së Kosovës është vetëm fillimi i një beteje të gjatë dhe të vazhdueshme dhe të përbashkët me institucionet e Kosovës, me qëllim të luftimit të korrupsionit në institucionet e qeverisë ose në ato private.

Serbia dhe Kosova arrijnë kompromisin për hapjen e varrit masiv
Serbia dhe Kosova kanë arritur një kompromis për hapjen e varrit masiv të zbuluar disa ditë më parë në rajonin e Rashkës. Sekretari i komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Prenk Gjetaj bëri të ditur se gërmimet në këtë varr do të nisin pas dy javësh. Është bërë një gërmim i gabuar dhe ne po punojmë që të mos gabohet më, por të gërmohet në vendin e saktë dhe të bëhet identifikimi, ka deklaruar Gjetaj.

Last Updated on E Merkure, 26 Maj 2010 20:49

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›