E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP, 15 për qind e fëmijëve vuajnë nga obeziteti

Specialistet e Institutit të Shëndetit Publik kanë vërejtur se ky është një trend në rritje tek nxënësit e shkollave 9-vjeçare në gjithë vendin. Por veç mbipeshës një problem i evidentuar tek nxënësit e shkollave është konsumimi i një ushqimi jo i shëndetshëm nga

fëmijët. Studimi tregon se vetëm 21 % e fëmijëve konsumojnë një herë në ditë fruta dhe perime, dhe 29 % i konsumojnë më shumë se një herë në ditë. Konsumimi i ushqimeve të paketura në ambientet e shkollave, si dhe mungesa e një regjimi ka bërë që 15 % e fëmijëve të shprehen se janë mbipeshë dhe duhet të mbajnë dietë. Rritja në peshë sipas specialistëve vjen edhe si pasojë e mungesës së aktiviteteve fizike. Të dhënat e fundit tregojnë se 3 % e fëmijëve nuk bëjnë asnjë aktivitet fizik, dhe 21 % e tyre bëjnë më shumë se një orë aktivitet fizik të sforcuar gjatë javës. Pjesa më e madhe e fëmijëve dhe konkretisht 58 % e tyre kalojnë tre orë në ditë para ekranit dhe 24 % e tyre harxhojnë 1 deri në 2 orë në ditë para internetit. Por kjo dukuri nuk është e përhapur në masë pasi 18 % nuk kanë akses në të.

Klos, 40 nxënës mësim në lagështirë
Prej vitesh shkolla fillore në fshatin Plani i Bardhë, të Bashkisë së Klosit në rrethin e Matit, nuk ofron as kushtet më minimale për zhvillimin e mësimit në të për rreth 40 fëmijë të këtij fshati. Shkak i kësaj gjendjeje rezulton të jetë bërë godina e kësaj shkolle e cila në tërësinë e saj është tejet e amortizuar. Veç mureve, çatia e shkollës mbetet më e dëmtuara, pasi agjentet atmosferike ndër vite e kanë plasaritur e copëtuar në mbi 75 për qind të sipërfaqes. Si pasojë e këtij dëmtimi, shiu që bie jashtë depërton në ambientet e brendshme të shkollës. Brenda mjedisit shkollor në tri klasa mësimi, mbretëron lagështira, e cila po shkatërron gjithçka, përfshirë edhe shëndetin e fëmijëve, duke i bërë këto ambiente të papërshtatshme për mësim. Aktualisht, në këtë shkollë mësojnë 3 klasa të ciklit të ulët, të bashkuara në dy klasa për shkak të numrit të vogël të nxënësve në secilën prej tyre dhe një klasë të parashkollorit, kopshtit. Në rastet e motit me reshje shiu të gjitha klasat mbushen me ujë. Amortizimi i mureve dhe i çatisë së kësaj shkolle, e kanë bërë atë të jetë jashtë funksionit, për mësimin dhe edukimin e nxënësve. Kudo nëpër mure dhe tavane të klasave mbizotëron lagështira, duke bërë që ata të mbulohen nga myku, i cili ndikon negativisht në shëndetin e nxënësve. Mësuesit e kësaj shkolle, në mënyrë konfidenciale thonë se eterniti me të cilin është mbuluar shkolla është i dëmtuar dhe nuk e mban ujin. Por nga ana tjetër, përdorimi i eternitit për mbulimin e çative është kategorikisht i ndaluar. Sipas studimeve të bëra ka rezultuar se ai ka në përbërje të tij lëndë kimike kancerogjene, të dëmshme për shëndetin. Gjatë muajve të verës, kur temperaturat rriten, është mjaft e vështirë të rrish brenda, por mësuesit së bashku me nxënësit janë të detyruar që të punojnë në këto kushte. Gjendja në këtë shkollë vjen e rëndohet nga viti në vit. Kjo ka bërë që një pjesë e mirë e prindërve të gjejnë mundësi të tjera për ti dërguar fëmijët në shkolla të tjera.

Afishohen tarifat e provimeve part-time
Studentet e sistemit part-time të Fakultetit Juridik, do të paguajnë 15 mijë lekë të vjetra, për çdo provim në sezonin e provimeve me pagesë. Ky vendim vlen vetëm për ata të rinj, që kanë rezultuar mbetës në lëndë të caktuara dhe që do të provohen në sezonin e riprovimeve. Ndërsa studentët që nuk janë paraqitur, gjatë tre sezoneve klasike, pranverë, verë dhe vjeshtë, por që duan ti shlyejnë këto provime, nuk do të paguajnë. Pagesa është afishuar pranë sekretarisë së Fakultetit të Drejtësisë, për të gjithë studentët e interesuar të sistemit part-time. Ndërsa në fakultetet e tjera të UT nuk janë afishuar ende listat e tarifave për provimet e sezonit me pagesë, si dhe informacioni përkatës. Studentët janë ende në pritje për tu informuar mbi çmimin që do tu duhet të paguajnë për secilin provim, ku rezultojnë mbetës. Megjithatë, sekretaritë e fakulteteve njoftojnë se listimi i tyre do të bëhet deri në fund të muajit maj. Për çdo vit, sipas rregullores së Universitetit të Tiranës do të ketë të paktën një sezon provimesh me pagesë. Pak kohë më parë, rregullores së Universitetit të Tiranës, i është shtuar një vendim më shumë. Ky propozim është bërë nga vetë studentët, të cilët nëpërmjet këshillave studentore kanë propozuar që sezoni i riprovimeve, të bëhet me pagesë. Kjo kërkesë ka ardhur si pasojë e të mos pasurit mundësi për ti dhënë këto provime, pasi do tu duhej ta frekuentonin lëndën një vit më pas. Kjo, do të ishte fatale, sidomos për studentët që presin të diplomohen, pasi do tu duhej ta shtynin dhënien e diplomës për një vit më pas.

Last Updated on E Merkure, 26 Maj 2010 21:09

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›