Erler: Zgjedhjet e futën politikën shqiptare në një grackë të re

Nënkryetari i fraksionit socialdemokrat gjerman në Bundestag dhe presidenti i Shoqatës së Evropës Juglindore në Gjermani, Gernot Erler deklaroi se zgjedhjet vendore të 8 majit me rezultatin e ngushtë e futën politikën shqiptare në një grackë të re, që sipas tij duhet të zgjidhet përmes vendimit të drejtë të Kolegjit Zgjedhor.
Në një intervistë për Deutsche Welle, Erler deklaroi se nuk ka asnjë mundësi tjetër përveç sqarimit ligjor të çështjes.
Këtu Erler apeloi që rezultati për Tiranën të zgjidhet në mënyrë paqësore, të civilizuar, dhe mbi baza ligjore dhe për këtë sipas tij vendimi i Kolegjit Zgjedhor është shumë i rëndësishëm.
Sipas tij sido që të jetë vendimi i Kolegjit Zgjedhor, ai do të jetë i pakënaqshëm, pavarësisht nëse njëra palë do të jetë fituese apo humbëse.
Duke folur për situatën politike në Shqipëri, ai theksoi se mes partive politike mungon besimi dhe konsensusi minimal.
Erler evidentoi se partitë politike në Shqipëri e vlerësojnë njëra-tjetrën me kategoritë e vlerësimit të armikut, duke e paraqitur gjithmonë si një katastrofë të pariparueshme për vendin fitoren e palës tjetër apo të qënurit në opozitë.