E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë,seancë e jashtëzakonshme për Haradinajn

PRISHTINE- Me kërkesë të 40 deputetëve të partive të ndryshme, Parlamenti i Kosovës do të debatojë në një mbledhje të jashtëzakonshme për procesin gjyqësor ndaj ish-oficerëve të lartë të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Ky vendim është marrë të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.  Të martën do të kemi një debat të kërkuar nga AAK-ja, i cili ka të bëjë me procesin që është duke u zhvilluar ndaj Ramush Haradinajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, ka thënë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Kreyparlamentari nuk e ka bërë të qartë se cili do të jetë përfundimi i debatit në këtë seancë, por ka shprehur bindjen se në fund të ketë ndonjë rekomandim.

Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, theksoi se ky debat do të jetë një apel për drejtësinë ndërkombëtare, që të jetë e drejtë edhe në aspektin kohor, jo vetëm në aspektin e shpalljes së pafajësisë për Haradinajn.

Fakti që ne besojmë që populli i Kosovës beson se zoti Haradinaj është i pafajshëm, herën e parë është dëshmuar në Tribunal, do të thotë është shpallur i pafajshëm, ne ende besojmë se është i pafajshëm, por ne do të jemi të kujdesshëm ndaj drejtësisë ndërkombëtare që mos të paragjykojmë ashtu, por të paktën të themi se shumë njerëz edhe në botë besojnë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Pra, kjo është ajo për të cilën ne provojmë të flasim nesër dhe të kërkojmë që të paktën drejtësia ndërkombëtare të jetë e drejtë edhe në aspektin kohor, jo vetëm në aspektin e shpalljes së pafajësisë, ka thënë Gjini.

Edhe grupet e tjera parlamentare e kanë mbështetur një nismë të tillë të AAK-së dhe Ardian Gjini pret që kjo seancë të jetë një solemnitet në mbështetje të Haradinajt.

Me siguri se seanca e së martës do të jetë edhe një solemnitet me të cilin Kosova do të tregojë se e mbështet njërin nga liderët e vet më të mëdhenj, është shprehur Gjini.

Shefi i Grupit parlamentar të AAKsë beson se ky apel i Kuvendit të Kosovës do të kuptohet në mënyrën më të mirë të mundshme nga drejtësia ndërkombëtare, përderisa ka thënë se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për Haradinajn.

I pyetur nëse do të kërkohet debat edhe për rastin e Fatmir Limajt, i cili është shpallur i pafajshëm në Hagë, por procesi është hapur sërish në Kosovë nga EULEX, Gjini ka thënë se në seancën e së martës, nuk do të ketë përfshihet edhe një gjë e tillë, mirëpo nuk ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të hapen tema edhe për kontekste të tilla. (Express)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›