Ermelinda Meksi, monedhë këmbimi në pazaret e Ramës

Kreu i PS-së po pastron territorin në prag të Kongresit të 5 nëntorit, por Ermelinda Meksit s’i kishte treguar se ajo duhej të linte paraprakisht mandatin, prandaj edhe dje ka dështuar përpjekja për të politizuar Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë
Diskutimet e djeshme mazhorancë – opozitë, i dhanë mundësinë kësaj të fundit, të propozojë një kandidaturë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Por, surpriza erdhi gjatë orëve të pasdites, kur nga selia rozë mbërriti propozimi për kandidimin e anëtares së kryesisë së Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi. Jo për çudi të rastit, por vetëm pak minuta më parë, deputetët e Partisë Socialiste në komisionin e ekonomisë, kontestuan kandidaturën e guvernatorit Adrian Fullani, me pretekstin e emërimit politik, ndërsa nga ana tjetër në komision mbërriti propozimi për Ermelinda Meksi, deputete dhe anëtare e kryesisë së PS. Dashakeqësi apo injorancë e sprovuar e ligjvënësve socialistë në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe financave.
Propozim më të qartë politik se kandidimi i Ermelinda Meksit s’ka dhe s’mund të ketë. Dhe ky është blofi dhe skandali i ditës për deputetët socialistë dhe kryetarin e tyre, Rama. Ose e thënë më qartë, një qëndrim me dy standarde i selisë rozë, për të njëjtën çështje. Por, çështja është edhe më e thellë. Shkon përtej gafës së momentit apo një lloj ngërçi institucional PS-Kuvend, me qëllim për të bllokuar këtë të fundit, siç edhe është kthyer në modë nga nomenklatura klienteliste e PS.
Edi Rama e ka kthyer PS-në në “evoluim” të vazhdueshëm, më shumë denigrues, duke larguar prej saj figurat kryesore dhe duke e kthyer në një proces të gjatë spastrimi. Siç duket, e njëjta formulë vlen edhe për Ermelinda Meksi, me profesion ekonomiste si dhe ish ministre e Financave në qeverisjen socialiste. Edhe pse ajo në heshtje e ka refuzuar ofertën e Ramës për ta nxjerrë jashtë dyerve të PS, pasi dje s’është paraqitur në mbledhjen e komisionit parlamentar të ekonomisë dhe financave.
Kuptohet qartë se për të, s’ka më vend në selinë rozë, pas aderimit të njëpasnjëshëm të 99-shave, ndërsa aktualisht PS është nën zhvirgjërimin e çetnikëve të Sajmir Tahirit. As më shumë e as më pak, PS është në ankand anëtarësimi, vetëm për njerëzit e Ramës, Tahirit apo dhe Veliajt. Dhe nga ana tjetër, Edi Rama do vazhdojë linjën me dy standarde, atë të denoncimit për kapje të institucioneve dhe tentativën për të uzurpuar institucionet.
Për sa i takon mbledhjes së djeshme të komisionit parlamentar të ekonomisë dhe financave, ligjvënësit miratuan vetëm me votat e mazhorancës kandidaturat e propozuara nga shumica parlamentare si Adrian Fullani, Elisabeta Gjoni dhe Petraq Milo.