E Shtunë, 31 Tetor 2026

Institucionet të kthehen në partiçka - projekti i Ramës për të uzurpuar pushtetin

01-11-2011 / Gazeta 55

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha theksoi keqpërdorimin e presidencës për interesat politike të Edi Ramës, duke shkelur Kushtetutën dhe duke e shndërruar KLSH-në në një partiçkë të opozitës

Mazhoranca do rrëzojë në parlament dekretin e presidentit Bamir Topi, për kryetarin e Kontrolli të Lartë të Shtetit. Shumica parlamentare paralajmëroi dje se s’do votojë propozimin e Topit, pasi ky i fundit ka shkelur Kushtetutën.
Sipas Berishës, Topi është vënë në shërbim të projektit të kryetarit të opozitës, për kapjen e institucioneve të shtetit si dhe për të luftuar mazhorancën.
“Kjo, është kapja më fatale dhe neve nuk duhet të na mungojë realizmi, asnjëherë, ne kemi një gjë, në mënyrë instiktive dhe jua them që është absolutisht shumë e dëmshme, aspak e dobishme për të mos thënë diçka më tepër, gjithçka e projektojnë tek të tjerët. Për çdo gjë që na ndodh neve këtu, fajin e kanë të tjerët, në të vërtetë jo nuk është kështu. Nuk ndodh në ndonjë vend, që të ngërthehen krerë institucionesh, në funksion të një projekti të kryetarit të opozitës, për të luftuar mazhorancën. Po ne jemi një shoqëri e lirë dhe në këtë shoqëri të lirë dhe absolutisht  kjo shoqëri nuk është e lirë pse është Sali Berisha kryeministër, jo more zotëri, kjo shoqëri është e lirë, sepse ky vend ka institucione demokrati, këtë vend , qytetarët e këtij vendi dhe të gjitha vendeve të tjera, fatmirësisht i mbron rregulli ndërkombëtarë. Për ne, shteti ligjor, mbetet kushti i të gjitha kushteve, që të gëzojmë  liritë që meritojmë. Funksionimi i institucioneve të tij, është një kusht kryesor. Këto institucione janë në çdo vend me një status të caktuar, janë në çdo vend, mbi ligje të caktuara, por përdorimi i këtyre institucioneve nga zoti Edi Rama, në funksion të krijimit të partive politike duke korruptuar në mënyra të ndryshme drejtuesit e tyre është akti më i rëndë, që ka ndodhur në historinë e këtij vendi në 20 vitet e fundit, absolutisht, ky është akti më i rëndë”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur kryesisht te propozimi i Topit për Sali Shehun, kryetari i mazhorancës tha se Presidenti ka shkelë Kushtetutën, duke mos u konsultuar me Kuvendin.
“Çfarë është zotëria që është propozuar për Kryetar të Kontrollit të Shtetit? Ka një përcaktim kushtetuta, Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimet e saj, është normë kushtetuese, thotë se Kreu i Shtetit duhet të konsultohet me Parlamentit për kandidaturat që i sjell. Presidenti nuk do ta zbatojë këtë përcaktim, është zgjedhja e tij, por një gjë është e sigurt, po ta marrë në këtë formë, sa herë që të mos i përmbahet do të shumëzojnë veten më zero, cilido qoftë, kaq është efekti. Ne respektojmë plotësisht, por ajo që thotë Gjykata Kushtetuese, ajo mbush boshllëkun që ka kushtetuta në marrëdhëniet mes Kreut të Shtetit dhe Parlamentit, dhe në mënyrë absolute, nuk synon ti cenojë pushtetin askurrkujt. Jo. Ajo ka një qëllim të bëjë kushtetutshmërinë të funksionojë, shtyllën ndër më themeloret të një sistemi demokratik. Nuk synon ajo as ti japë pushtet Parlamentit, as ti heq pushtet Presidentit. Thuhet sot në media pse nuk është konsultuar presidenca me mazhorancën çka lihet të kuptohet se, është konsultuar me opozitën. Ne nuk kemi asnjë keqardhje për këtë, absolutisht jo. Të vetmin problem, jo për ne. Ky projekt i zotit Rama për të shndërruar në partiçka të vogla institucionet  kushtetuese shtyllat kryesore te shteti është donkishotesk. Po të jetë për vota ai vetëm sa na shton vota, por nuk na duhet kjo rruge, na duhet që ato të jenë në funksionin e tyre”, tha Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›