E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ermonela Jaho shkollë operistike në Tiranë

Ermonela Jaho, sopranoja e njohur shqiptare, do të hapë një shkollë operistike në Tiranë. Projekti i saj ka gjetur mbështetjen edhe të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i cili ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur idenë e sopranos me famë botërore për ngritjen e një shkolle operistike në Tiranë, për promovimin e talenteve të reja. Ky projekt është një ofertë e rajonit të Emilio Romanjos në Itali, dhe do të kurohet nga profesorë italianë. “Bashkia do të japë mbështetje të plotë për këtë iniciativë”, tha Basha, duke shprehur kënaqësinë që gjeti pëlqimin e sopranos për ngritjen në Tiranë të një foleje për artistët shqiptarë që janë tashmë yje të skenës botërore. “Jemi gati të ngremë në Tiranë një fole të yjeve shqiptare të artit dhe skenës, në mënyrë që ata të mblidhen këtu të paktën një herë në vit, duke kontribuar që qyteti ynë të kthehet në një stacion të rëndësishëm dhe një atraksion për artin, turizmin etj”- u shpreh Basha. Nga ana e saj sopranoja Jaho u shpreh entuziaste që projekti i saj do të marrë udhë falë mbështetjes së Bashkisë së Tiranë. “E vlerësoj shumë mbështetjen që gjeta për ngritjen e një shkolle operistike, pasi kjo do të ndihmojë në promovimin e shumë të rinjve të talentuar, dhe jam dakord për ngritjen e folesë për artistët shqiptarë që kanë sukses në botë”, deklaroi Jaho.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›