Zbulohen letrat e Louis Althusser dërguar gruas Helene para se ta vriste
Midis elektroshokëve dhe mbytjes së gruas,një nga filozofët më të mëdhenj francezë mbetet enigmë. Botimi i letrave që Louis Althusser i ka dërguar gruas së tij Helen, do ta zbulojë, vallë, misterin e tij ?
Jemi më 20 maj 1968. Sapo ka ndodhur një revolucion, i dështuar, i tradhtuar (nga PK dhe sindikatat), por gjithsesi revolucion - sepse prej tij u ravijëzua një model i ri shoqërie. Ky revolucion pati udhëheqësit dhe etërit e tij, një prej të cilëve ishte Louis Althusser, profesor në Ecole Normale Superieure (ENS) që prej vitit 1948. Gjatë viteve të para të mësimdhënies, një prej nxënësve të tij quhej Michel Foucault, më vonë do të vijnë Alain Badiou, Jacques Rancière dhe Bernard - Henri Lévy. Në janar të vitit 1963 disa nga nxënësit dhe kolegët e tij (Balibar, Macherey, Regnault) i kërkuan të përfshinte Marksin në leksionet e Ecole Normale Supérieure.
Në zhurmën, dëshirën, dhe furinë e Majit ’68…
Ky katolik i hershëm kishte lexuar nga Marksi vetëm shkrimet e rinisë dhe disa punime të fundit, kështu që i turret analizës së Le Capital (Kapitali) për dy vjet të tërë. Ajo çoi në botimin e Lire Le Capital (Të lexosh Kapitalin) - me bashkautor Etienne Balibar - një libër i vogël, i gjelbër, i botuar nga Maspero, i cili, kur e kishe në dorë, ngjante me një tullë. Duke futur Marksin në ENS, siç futet ujku në vathën e deleve (në të njëjtën kohë, Althusser kishte ftuar Lacan-in, pra, goditje e dyfishtë!), mësuesi kishte vendosur aparatin, çimenton teorike dhe politike prej nga doli Maji ’68 - nëpër zhurmë, dëshirë, furi… Duke ndërthurur marksizmin me psikanalizën, Althusser-i hodhi dritë mbi njeriun si ndërtim. Ishte epoka e pasioneve strukturaliste. E megjithatë, ishte po ai Althusser i cili më 20 maj 1968 i shkruante gruas së tij Helene, se ajo ishte “pika e tij e vetme e palëvizshme në këtë det pa horizont”. Letra është dërguar nga klinika Eau-Vive, ku ai ishte shtruar të nesërmen e natës së parë të barrikadave, për t’u kuruar nga një krizë e re depresioni. Kur, më në fund, kujtohet të flasë për revolucionin, kjo bëhet në formë ankimi: “Në spital, pothuaj nuk i shohim fare mjekët, ata janë lart e poshtë nëpër mbledhje - diskutime politike. Pas ngjarjeve të tmerrshme të javës së kaluar, ka një si eferveshencë që ndihet deri këtu”. Mund të jesh filozof, marksist, iniciator i kthesës maoiste, e në të njëjtën kohë një i sëmurë që kërkon nga mjekët një kujdes aspak të ngjyrosur nga materializmi historik. Pra, nëpërmjet botimit të letrave dërguar së shoqes, nga viti 1947 deri në vitin 1980, te ne vjen njeriu Althusser, njëzet vjet pas vdekjes së tij. Ato janë letra pushimesh ku ai përshkruan peizazhet, romanet që lexon, filmat që shikon dhe që nuk i pëlqejnë kurrë, rrobat e banjës që ka blerë, bukurinë e vajzave të Marsejës, plus disa “probleme të natyrës teorike”, e gjithë kjo në një stil që ai vetë e quan “ domosdoshmërish aludues”. Helene Rytman ishte mësuesja e tij e komunizmit, e majtizmit (para se ta njihte, ai ishte shumë katolik dhe pothuaj i djathtë). Përse atëherë, takimi i tyre nuk u shndërrua në një roman të madh dashurie politike, siç pritej? Sepse edhe një filozof ka të drejtë të shkojë me pushime. Sepse atë që nuk mund t’ia thonin njëri - tjetrit në sy, e shkruanin nëpër letra - ishte dashuri para Facebook-ut. Në parathënien e këtij botimi, Bernard - Henri Lévy ka të drejtë kur bën këtë pyetje: “Prej ç’metali është bërë kjo dashuri?”. Për metalin, dimë se është i fortë, rezistent dhe i ftohtë. Pasi lexojmë këto letra, nuk mund të mos mendojmë se ndoshta këtu dashuria është edhe më e ftohtë se vdekja…
Takimi që tronditi jetën e tij
Në një ditë me borë të janarit 1946, Louis (28 vjeç), student në filozofi, takon këtë vajzë të cilën ia kishin përshkruar si «pak të çmendur, por inteligjenca e saj politike e bën krejt të veçantë» . Në atë kohë, Helene ishte dhjetë vjet më e madhe se ai, kishte mbetur jetime që në moshën trevjeçare, kishte punuar si asistente e Jean Renoir, militante komuniste, e afërt me Malreaux, Aragon, Lacan, pastaj kishte drejtuar një rrjet të Rezistencës, duke i shpëtuar disa herë arrestimeve të Gestapos (ajo ishte hebreje). Por në vitet 1946 - 1947 ajo nuk shihej më si e shenjtë nga Partia Komuniste franceze, e cila e dyshon për gabime të rënda në aksionet e saj, deri edhe në spiunazh dhe gjëra të tjera për të cilat në fund nuk do dihet asgjë. Ajo është e varfër, e vetmuar, e braktisur. Harton projekte librash që nuk i shkroi kurrë dhe fillon të jetojë nën hijen e këtij djali të ri, të cilit i mëson aksionin politik. Nëse Althusser arriti të themelonte një ditë «një filozofi pa objekt, por me çështje polemike dhe praktike», kjo ndodhi falë ndikimit të saj. E megjithatë, ishte përsëri një ditë dimri e janarit 1980, kur Althusser e mbyti Helenën. Kjo vrasje nuk është programuar në asnjë letër, e kundërta do të na habiste. Por letrat më mallëngjyese dhe më të trembura janë dërguar nga shtëpi pushimi ose spitale psikiatrike, ku Althusser shtrohej rregullisht që nga kriza e tij e parë e vitit 1943. Për herë të parë u trajtua me elektroshok në vitin 1947, në moshën 29-vjeçare, kur ishte i shtruar në spitalin Saint-Anne nga psikoza maniako-depresive. Mendohet se shkaku i kësaj krize ishte takimi me Helenën një vit më parë, me të cilën ai i dha fund djalërisë (Althusser ka pohuar me gojën e tij se ishte i virgjër deri në prag të të tridhjetave). Me këtë vajzë më të madhe, me eksperiencë, ai zbuloi dashurinë fizike dhe fuqinë e saj shkatërruese, dalldinë që i shkaktoi papritur, aq sa e shndërroi në gjahtar, në joshës të përhershëm, pa qenë kurrë i ndërgjegjshëm për këtë, madje pa e duruar plotësisht. «Fshihemi pas sëmundjes», shkruante ai. Sëmundja mori përmasa dramatike në vitet 1970, kohë kur konsiderohet si një nga filozofët e mëdhenj të epokës së tij, kurse ai e sheh veten thjesht si një agjitator politik, si një «marksist imagjinar», duke përdorur për veten emrin që Raymond Aron kishte përdorur për Sartre dhe për të. Mungesa e ndërgjegjësimit për forcën e tij vihet re edhe në një prej letrave drejtuar Helenës: «Flace (Robert Flaceliere drejtoi ENS nga viti 1963 në vitin 1971) më tha se ishte i trishtuar ngaqë gjithë shtypi e konsideron sekretarin e ENS (kupto Althusser) si një «filozof të madh». I thashë se ishte shaka e goditur dhe se më bëhej qejfi edhe pse ishte shaka, por ne e kemi një filozof të madh në shtëpi dhe ky është Derrida”.
Përktheu: Blerta Hyska
(marrë nga revista kulturore: Les Inrrocuptibles)