El Pais: Bolero e Kongolit në listën e më të mirëve
Këtë verë e përditshmja spanjolle EL PAÍS ofron për lexuesit e saj një udhëtim veror përmes letërsisë që vjen nga vende të ndryshme të botës, të botuara këtë vit në Spanjë. Gazetari Winston Manrique Saboga ka përzgjedhur 39 romane dhe tregime nga shkrimtarë të 28 vendeve të ndryshme. “Shumë prej tyre”- shkruan EL PAÍS - janë shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, por dhe shkrimtarë që janë botuar në Spanjë. Me këtë udhëtim letrar ofrohet një udhëtim edhe në sensin gjeografik, duke i ofruar lexuesit që përmes zbulimit të këtyre autorëve të udhëtojë me imagjinatën e tyre nga Islanda në Spanjë, Kinë, Shqipëri e deri në Zelandën e Re. Libri “Bolero në vilën e pleqve” e shkrimtarit shqiptar Fatos Kongoli vjen si propozim në vendin e 7-të të klasifikimit. Ai është sjellë në gjuhën spanjolle nga përkthyesi Ramons Sahchez (i cili u nda nga jeta pak jave më parë) dhe nga shtëpia botuese ‘Siruela’. Sipas komentit që bën gazetari Saboga, “libri i shkrimtarit Fatos Kongoli është dëshmia e vetë shkrimtarit që përmes rrëfimit të infermieres zbulon misteret e saj, dramat e personazheve me ndërlikimet, dëshirat e fshehura në një mjedis shpesh të egër e të pamëshirshëm për një kategori të caktuar shoqërore. Me këtë libër Fatos Kongoli rrëfen një shoqëri në tranzicion, e pastrukturuar dhe e pasigurt, duke shtuar elementin e intrigave dhe një ajër ekzitismi të degraduar”. Në krye të listës qëndron shkrimtari nga Islanda, Sjon, me librin “Mrekullitë e muzgut”, i ndjekur në vend të dytë nga irlandezi William Trevor, anglezi J.G. Farrell, duke rreshtuar më poshtë francezët Raymond Federman, Mathias Enard dhe Pierre Bergounioux, të ndejkur nga shkrimtari italian Nikola Ammaniti dhe pas tij në vendin e 7-të qëndron Fatos Kongoli me “Bolero në vilën e pleqve”. Letërsisë ballkanase, mes 39 propozimeve që janë kryesisht nga Europa dhe Amerika dhe shumë pak nga Afrika dhe Azia, i shtohet edhe shkrimtari boshnjak Hemon Aleksandar me librin e tij “Dashuri dhe pengesa”, i pozicionuar në vendin e tetë, një vend më poshtë se shkrimtari shqiptar Fatos Kongoli. “Bolero në vilën e pleqve” u botua në Spanjë, në maj të këtij viti. Me prezantimin e librit nga shtëpia botuese “Siruela” në Madrid, po kjo e përditshme (El Pasi) i kushtonte një faqe librit të Kongolit. Ajo e cilësonte “Bolero në vilën e pleqve” si një libër skaner i shoqërisë shqiptare në tranzicion. “Një nga gjërat që ka habitur njerëzit e Europës Lindore, kur ra Muri i Berlinit, ishte se komunistët kishin pasur të drejtë kur parashikonin të ardhmen. Ata patën parashikuar se kapitalizmi do të jetë i vështirë, do të sillte luftëra “budallaqe”, rendi i ri do të tregohej i pamëshirshëm ndaj të dobëtit dhe vetëm i forti do të mund të mbijetonte dhe se një racë e re hajdutësh e vrasësish do të kapnin vendin, duke u pasuruar e duke lënë në mjerim pjesën e dobët… të gjitha këto “profeci” u bënë më së shumti realitet në këto vende, dhe kjo ishte vërtet e tmerrshme. Ka qenë pikërisht kjo qasje që ka tërhequr lexuesin, thuajse në të gjitha romanet e shkrimtarit shqiptar Fatos Kongoli. “Bolero në vilën e pleqve” është një dëshmi e një shoqërie të martirizuar, nga përmbushja e disa prej këtyre profecive, rrëfyer përmes situatave të protagonistëve, që autori i sjell më shumë si vëzhgues të vendosur në periferi të ngjarjeve”, - shkruante kritiku Ignacio Vidal Folch në prezantimin e librit të Kongolit për lexuesin spanjoll në maj të këtij viti. Në Spanjë janë botuar tre romane të shkrimtarit Kongoli: “Jeta në kuti shkrepëse”, që është historia e një gazetari mediokër, tashmë në pension, që qëndron i mbyllur në shtëpinë e tij me shishen e uiskit që e shoqëron gjithmonë dhe si padashur vret një vajzë cigane. “Lëkura e qenit”, një tjetër libër i tij, i përkthyer në Spanjë, është historia e një skenaristi i cili pasi mbetet i ve dhe fillon të fantazojë për gratë e tjera, teksa pret në 2 të natës në radhën e qumështit, duke parë zonjat e duke menduar se cila prej tyre ka bërë dashuri para se të vijë në radhë të qumështit. Njohjen me zonjën dhe takimet në kinema, duke fërkuar bërrylat e pastaj duke dëgjuar rrëfimet e saj për të shoqin që ishte në burg qysh prej tre vitesh, e që kishte tre vjet pa bërë dashuri. Tregon mendimet që i vinin kur shihte Lorin, shoqen e vajzës së tij dhe e quante veten “Lëkurë Qeni”. E së fundmi, edhe libri i tretë “Bolero në vilën e pleqve”, që i propozohet lexuesit si libri që duhet të merret me vete gjatë pushimeve të verës.