“Le të bëjmë seks” në “Apollon”
Shfaqja “Le të bëjmë seks” pjesë e Festivalit të të rinjve në sezonin artistik të këtij viti në TK do të marrë pjesë në Edicionin e 10-të të Festivalit të Teatrove “Apollon”. Por do të jetë Teatri i Metropolit që do të prezantohet në këtë festival me shfaqjen “Le të bëjmë seks”, me regji të Elma Dorezit dhe interpretimin e aktorëve Devis Muka, Klodian Hoxha, Marsela Lena, Cubi Metka dhe Ermela Ruri. “Le të bëjmë seks” është një pjesë teatrale me dy akte dhe personazhet e pjesës janë burri, gruaja, një profesor, një vajzë dhe një motër. Të gjithë personazhet e kësaj komedie të çuditshme absurde flasin vetëm për një gjë: për seksin. E pikërisht për këtë arsye ftesa e hapur për seks mbushi sallën e Teatrit Kombëtar në premierën e kësaj shfaqjeje, për t’u spostuar më pas me të njëjtin interes nga publiku edhe në teatrin Metropol. Festivali “Apollon” këtë vit do të zhvillohet nga data 31 gusht deri më 4 shtator, ndërsa pjesë e tij do të jenë trupa të ndryshme teatrore jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga shtete të tjera, ndërsa kjo vepër ngjitet në skenë në datën 2 shtator. Festivali “Apollon” filloi si festival mbarëkombëtar i aktrimit, me qëllimin për të evidentuar aktorin shqiptar si dhe për t’i krijuar hapësirë më të madhe aktorëve të rinj por, shumë shpejt ky festival i kapërceu kufijtë, duke u kthyer në festival ndërkombëtar, ku teatri shqiptar ballafaqohet me atë europian.