Tuneli në Porto Palermo, muze i Luftës së Ftohtë
Paradoksi është që janë shumë zona ushtarake, pjesa më e madhe e tyre në qytete me peizazhe të bukura, por që kjo strukturë duket shqetësuese në mes të bregdetit shqiptar. Por si mund t’i kthejmë edhe këto struktura problematike, aq më tepër kërcënuese, siç mund të jenë p.sh. bunkerët e diktaturës apo tunelet dhe zonat ushtarake, në zona turistike dhe njëkohësisht që të përshtaten me peizazhin që ofron bregdeti shqiptar. Për këtë kanë menduar një grup arkitektësh italianë, që kanë prezantuar këto ditë në Festivalin Ndërkombëtar të Arkitekturës që u zhvillua në Peruxha “Festarch 2011”. Shqipëria, që në një kontekst mund t’u duket e largët (edhe pse gjeografikisht është fare pranë) italianëve Elisabeta Terragni dhe Jeffreu Schanpp, të cilët në bashkëpunim me Daniele Ledda, kanë gjetur mënyrën sesi të sjellin të shkuarën në të tashmen dhe ta përshtasin me të. Ata janë kthyer për të punuar mbi një projekt të veçantë muzeal, analog me atë që arritën të realizonin disa vite më parë në Trento, ku një tunel Lufte e kthyen në një vend turistik dhe të vizitueshëm për turistët. Për shkak të historisë së saj, çështja e përdorimit në Shqipëri i infrastrukturave të braktisura tashmë të së kaluarës, është bërë çështje dite, madje shumë ide janë ofruar për të rivitalizuar të shkuarën tonë në të tashmen. Idesë së ngritjes së Muzeve të komunizmit i është shtuar së fundmi edhe një projekt i ri i tre arkitektëve italianë. Bëhet fjalë për tunelin e gjatë 650 metra dhe 12 metra të lartë, që ndodhet në pjesën veriore të Porto Palermos, ku njëherë e një kohe ankoroheshin nëndetëset tona, ndërsa tani mirëpret anije, jahte, apo skafe. Porta e tunelit, e tëra beton, peshon rreth 32 tonë. Pikërisht këtë tunel grupi i arkitektëve ka menduar ta kthejë në një muze, por jo në një muze të zakonshëm ku vizitori hyn dhe e vetmja gjë që i ofrohet është përshkrimi i atyre pak kilometrave tunel. Projekti ka një tjetër qëllim, atë që panorama që ofron ai vend i jashtëzakonshëm në mes të ujit dhe ajrit do të tërheqë shumë vizitore. Muzeu do të jetë një reflektim përmes dokumenteve që përcjellin ngjarjet e Luftës së Ftohtë. “Në Shqipëria ka me qindra struktura të braktisura të Luftës së Ftohtë, siç është edhe tuneli, në një zonë mjaft të bukur në jug të Shqipërisë. Ka shumë struktura të tilla që prishin në një farë mënyre panoramën, që i përkasin së kaluarës [për të cilat Ministria e Tiranës nuk di se çfarë të bëjë. Ne me eksperiencën tonë botërore kemi nisur këtë aventurë, që është në fakt një propozim për ta kthyer këtë tunel në një muze të Luftës së Ftohtë. Një muze për të gjithë, por që nuk do të ketë karakteristikat e një muzeu të zakonshëm, por do të përshtatet me strukturën e tunelit. Do të punohet me një sistem projeksionesh dhe materialesh të dala nga arkivat. Na është dashur shumë punë, në fakt. Pas suksesit që ky projekt pati në Festivalin Ndërkombëtar të Arkitekturës, do të shkojmë edhe në Tiranë për ta prezantuar atë. Parimisht është rënë dakord që ku projekt të realizohet dhe, nëse bëhet, atëherë ai do mbyllet brenda 1 viti. Aty do të shfaqen filmime origjinale, fotografi, grafika dhe do të hapet një web për ta përfshirë edhe këtë pjesë të izoluar në perspektivën që ajo zonë ka për zhvillimin e turizmit. Më 2012 qeveria shqiptare feston 100-vjetorin e Pavarësisë dhe kërkon që me këtë rast të bëjë diçka, prandaj shpresojmë që një nga projektet që ajo do të mbështesë, të jetë edhe projekti që ne do t’i propozojmë për tunelin muze të Porto Palermos” - u shpreh ideatorja e projektit, Elisabetta Terragni.