Si isopolifonia u mirëprit nga 3 mijë spektatorë
Megjithëse kanë kaluar disa ditë kur ai është kthyer nga Klina e Kosovës, sërish mbart ende emocionet e konkurrimit në festivalin folklorik “I këndojmë lirisë”. Këngëtari popullor Nexhmin Mustafaraj është udhëheqësi artistik i grupit të këngës isopolifonike “Kurora Labe”, në Gjirokastër, grup që fitoi edhe çmimin e parë në edicionin e 11-të në festivalin folklorik të organizuar në Klinë, Kosovë. “Mendoj se krahas 28 grupeve folklorike pjesëmarrëse në këtë festival, nga gjitha trevat mbarëshqiptare, edhe grupi ynë u prezantuar mjaft mirë artistikisht, çka bëri që ai të fitonte edhe vendin e parë në festival”, thotë udhëheqësi artistik i grupit “Kurora Labe”. Për të, edhe artistët popullorë nga Gjirokastra prezantuan një nivel të lartë artistik, gjatë përcjelljes te spektatorët të këngëve popullore të Shqipërisë së Jugut, ashtu si 1 mijë artistët popullorë pjesëmarrës në këtë festival, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova, trojet shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi etj. Grupi “Kurora labe” në festivalin folklorik të Klinës u prezantua me katër këngë isopolifonike. “Megjithëse disa herë ne kemi qenë pjesëmarrës në këtë festival, madje përpara dy vitesh kemi zënë edhe vendin e tretë, sërish emocionet kësaj here ishin të mëdha”, thotë këngëtari popullor Nexhmin Mustafaraj. “Unë, vijon ai, nuk kam për ta harruar gjatë gjithë jetës sime mbrëmjen kur në skenën e festivalit konkurroi grupi ynë”. Mes katër këngëve popullore të kënduara nga grupi “Kurora labe”, spektatorët e pranishëm do të shoqëronin me duartrokitje të zjarrta këngën labe kushtuar heroit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqi. Ndërsa ne hymë në skenë dhe nisëm të këndonim në variantin isopolifonik vargjet: “O moj Klinë historilashta / të vijnë miqtë nga Gjirokastra”, të 3 mijë spektatorët e pranishëm në festival u ngritën në këmbë dhe nisën të na shoqëronin me duartrokitje të zjarrta”, kujton këngëtari popullor Nexhmin Mustafaraj. Bledar Shehu