E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: PS na largoi, do të bashkohemi me PD-në

TIRANË- Kryetari iKryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka kritikoi ashpër dje, Partinë Socialiste për qëndrimin e saj, në zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Ndoka shpall ndarjen përfundimtare me koalicionin e socialistëve dhe deklaron bashkimin me PD-në. “Të paktën ne si demokristianë jemi të qartë, se me PS-në nuk na bashkon më asnjë lloj interesi politik; PS-ja ka zgjedhur rrugën e saj të vetmuar, ne do zgjedhim tonën për aleanca të reja”, - u shpreh Ndoka. Ai sqaron më tej, se bashkimin e PDK-së me PD-në e kanë kërkuar edhe partitë e djathta evropiane. Ndoka shprehet se: “Çdo gjë në kohën e duhur. Tashmë për PDK-në do të ketë sfida të reja, kryesisht për përfaqësimin tonë sot në qeveri dhe nesër në Kuvendin e Shqipërisë. Ai tregon sinqeritet kur deklaron se, edhe në tryezën e fundit që Rama e thirri para zgjedhjes së Presidentit, PDK nuk u përfaqësua, për shkak se: “realisht koalicioni opozitar nuk funksionon më si i tillë. Z.Rama në këtë proces zgjodhi që të jetë vetëm kryetari i PS-së dhe jo lideri i “Opozitës së Bashkuar”... “Kjo ishte zgjedhja e tij, ndaj unë dhe PDK-ja që përfaqësoj nuk pranuam të bëhemi pjesë e një skenari të paramenduar më parë, që të vazhdonim demagogjinë me procesin dhe konsensusin”, - sqaroi Ndoka.
Zoti Ndoka, si e vlerësuat ju zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës?
Zgjedhja e Presidentit të Republikës erdhi nëpërmjet një procesi të komplikuar, por kushtetues. Mazhoranca nuk ishte shumë e qartë, ashtu edhe opozita ishte disi e çoroditur, e papërgatitur: Kërkoi që procesi të respektohej, por nuk mori pjesë asnjëherë në garë. Për fat të keq PS-ja nuk nxori asnjë emër në mënyrë publike, për ta bërë procesin interesant dhe për të marrë pjesë në mënyrë direkte, si shprehje e vullnetit politik dhe detyrimit kushtetues. PS-ja e kërkoi procesin në mënyrë demagogjike, pa seriozitet dhe duke gjetur dhe shpikur arsye për t’u larguar prej tij, për ta lënë mazhorancën vetëm, për t’u përpjekur të fitojë kredo politike nga mungesa e konsensusit. PS-ja u soll me procesin si “veshi i gomarit”: “Çfarë uji i ke dhënë gomarit”? Gjithsesi tashmë kemi një President të ri të Republikës, të gjithë duhet t’i urojmë punë të mbarë dhe ta mbështesim në punën e tij, duke besuar dhe shpresuar, që do të dijë të qëndrojë mbi palët dhe të jetë garant i Kushtetutës. Unë, duke e njohur nga afër z.Nishani, kam besim që do të jetë një President dinjitoz dhe në lartësinë e detyrës në sytë e shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.
A ishte i përshtatshëm qëndrimi i PS-së ndaj kësaj çështjeje, deri në fund, fakti që nuk propozoi emra e deri tek mospjesëmarrja në votim?
PS-ja dhe zoti Rama u soll si “fëmijë i llastuar” me procesin; e kërkonte, por nuk e dëshironte, e kërkonte procesin që të zbatohej Kushtetuta, por nuk denjonte të bëhej pjesë e tij. Procesi ishte i gjatë, transparent dhe problematik. Konsensus nuk do të thotë që të bien dakord Berisha me Ramën, por procesi duhej të ishte parlamentar, me kandidatë alternativë, që kandidatët ta bënin procesin interesant, të jepnin alternativa dhe ide, që deputetët me votën e tyre të vendosnin për një President me shumicë të cilësuar, apo me një shumicë të thjeshtë. Ky është procesi ideal dhe i besueshëm. Politika shqiptare zgjodhi komedinë e procesit, takoju, afroju, largoju, dil me kandidat, detyroji të tërhiqen, pra një proces me të vërtetë qesharak dhe pa dinjitet. Gjithsesi, kjo kosto kushtetuese ndaj institucionit të Presidentit është krijuar pikërisht me ndryshimet e njëanshme kushtetuese nga PD e PS. PS-ja si opozitë bëri dy herë gabime, një herë duke ndryshuar Kushtetutën dhe për herë të dytë duke mos pranuar dhe këmbëngulur ta përmirësojë sërish atë, kur kuptoi gabimin dhe koston e tij.
Zoti Rama thirri një tryezë të aleatëve para zgjedhjes së kreut të shtetit, në të cilën ju, por edhe zoti Gjinushi, zoti Koçi, keni munguar. Keni pasur ndonjë arsye tjetër, apo ka diçka që nuk po shkon në koalicionin tuaj?
Realisht koalicioni opozitar nuk funksionon më si i tillë. Z.Rama në këtë proces zgjodhi që të jetë vetëm kryetari i PS-së dhe jo lideri i “Opozitës së Bashkuar”. Kjo ishte zgjedhja e tij, ndaj unë dhe PDK-ja që përfaqësoj nuk pranuam të bëhemi pjesë e një skenari të paramenduar më parë, që të vazhdonim demagogjinë me procesin dhe konsensusin. Rama as nuk kishte, as nuk donte kandidat konsensual. PD-ja ishte më e organizuar me aleatët e vet, z.Rama edhe një parti parlamentare opozitare që kishte nuk e përfilli, por e la jashtë bisedimeve dhe tryezave. Z.Rama ka deficenca të theksuara në raportet institucionale me aleatët dhe kundërshtarët politikë. Ai, ndonjëherë apo shpeshherë mendon, se bota sillet vetëm rrotull tij...!
Kreu i PS-së deklaroi se në zgjedhjet e vitit që vjen do të hyjë me këtë koalicion që ka, pra me ju, dhe nëse LSI do të largohet nga qeveria do të shikohet edhe një bashkëpunim me të. Ju, ç’mendim keni për këtë?
Kam përshtypjen se PS-ja do të hyjë e vetme në zgjedhje. Kjo është mendësia dhe dëshira që ekziston tek lidershipi i kësaj partie. PS-ja tenton që të jetë parti e parë, por të vazhdojë të qëndrojë në opozitë. PS-ja sot është e paqartë me ndryshimet dhe përmirësimet e sistemit zgjedhor, i deklaron ato publikisht në mënyrë demagogjike, por vazhdon punën me PD-në në drejtimin e kundërt. PS-ja asnjëherë nuk vendosi veton në Komisionin e Reformës Zgjedhore për premtimet që na kishte bërë neve si aleatë. Në këto kushte nuk besoj, se do të ketë ndonjë forcë politike opozitare, që do të qëndrojë si satelit apo shumatore votash për PS-në. Të paktën ne si demokristianë jemi të qartë, se me PS-në nuk na bashkon më asnjë lloj interesi politik; PS-ja ka zgjedhur rrugën e saj të vetmuar, ne do zgjedhim tonën për aleanca të reja.
A i druheni faktit se nëse PS bën një koalicion me LSI-në mund të largohet prej jush, pra aleatëve të deritanishëm?
Lidershipi i PS-së dhe në mënyrë direkte z.Rama është ndëshkuar në garat elektorale, kryesisht për mungesën e një koalicioni të qëndrueshëm dhe efektiv. “Ngjala” që hëngri z.Rama, si duket po i del nga hundët. Zgjedhja e Presidentit është një fakt; kemi dëgjuar thashetheme nga “ngjala”, se mori garanci për President konsensual në atë darkë të përvuajtur. Rama takohet atëherë kur nuk duhet dhe i shmang takimet atëherë kur është domosdoshmëri. Kjo mungesë e nuhatjes politike i ka kushtuar dhe do t’i kushtojë z.Rama edhe në të ardhmen. PS-ja dhe opozita kanë ndërtuar aksionin e vet politik, tre vjet kundër Metës dhe LSI-së. Një “ngjalë” nuk mund të ndryshojë mendjet e kujtesën e shqiptarëve, e shumta vetëm të zotit Rama dhe të pasuesve të tij. Gjithsesi, është përgjegjësi dhe e drejtë e PS-së të ndërtojë koalicionet ose t’i shkatërrojë ato. Sot është në rrugë të gabuar, nesër do të jetë vonë për ta!
Zoti Ndoka, ju keni pasur një plan për bashkimin me pjesën tjetër të demokristianëve që drejtohen nga Nikollë Lesi. Si po ecën ky proces?
Ky proces po ecën mirë, shumë më mirë se procesi për zgjedhjen e Presidentit. Nuk ka pengesa për faktorizimin e alternativës Kristiane në një parti të vetme, PDK. Koha dhe Kodi Zgjedhor tashmë e detyrojnë një gjë të tillë, ndaj ndërgjegjësimi është maksimal nga të gjithë aktorët. Çdo gjë në kohën e duhur, tashmë për PDK-në do të ketë sfida të reja, kryesisht për përfaqësimin tonë sot në qeveri dhe nesër në Kuvendin e Shqipërisë.
Ç’mendim keni për garën që ju pret në 2013-ën? Do dilni të vetëm në zgjedhje, apo do vazhdoni të jeni me PS-në apo ndoshta një koalicion me PD-në, pas ofertave të herëpashershme që ju ka bërë?
Aktualisht sot, e shohim veten shumë më afër me PD-në, se me PS-në, jo vetëm nga përkatësia e spektrit politik. Gabimet e PS-së me aleatët dhe kryesisht me PDK-në, janë të patolerueshme nga ne. Nuk mund të vazhdojmë të tërhiqemi zvarrë nga mentaliteti që ekziston në PS, se aleatët janë një barrë e panevojshme. PDK-ja ka sot rreth 50 mijë vota, me këshilltarë komunash, bashkish e qarqesh në të gjithë vendin. Ne shpresojmë dhe besojmë, se jo vetëm që nuk do të jemi barrë e një koalicioni, por vlerë politike dhe garanci për fitore.  

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›