E Diel, 1 Nëntor 2026

Erozioni rrezikon banesat e fshatit Devoll, banorët japin alarmin

Erozioni kërcënon përsëri në juglindje, banesat e një fshati në prag të përmbytjeve që vijnë nga çarja e një dige të provokuar nga erozioni. Banorët e një fshati japin alarmin se  shkarja e digës, po u sjell rrezikun në shtëpi. Erozioni ka përfshirë prej pak javësh dhe digën e një rezervuari në rrethin e Devollit. Kanë qenë banorët e fshatit Koshnicë të cilët kanë informuar

Shtabin e Emergjencave Civile, ndërsa shtëpitë e tyre shumë pranë rezervuarit kërcënohen nga uji. Shkarjet e dheut që tashmë janë të përditshme kanë dëmtuar digën e rezervuarit të Koshnicës në rrethin e Devollit. Rrëshqitjet masive kanë shkaktuar çarjen e digës ndërkohë që sipas specialistëve të Bordit të Kullimit dhe Shtabit të Emergjencave Civile në juglindje, rrezikohet që ujërat e rezervuarit të shkaktojnë përmbytje në disa mijëra hektarë toka bujqësore por dhe në disa banesa. Disa mjet të dërguara me urgjencë gjatë ditës së enjte e kanë pasur të pamundur të kryejnë punime në këtë zonë në mungesë të rrugëve, ndërsa rrëshqitjet që kanë nisur vite më parë kanë avancuar më tej javën e fundit, duke shembur një pjesë të madhe të digës në një anë të saj. Pas shkarjes së konstatuar në këtë zonë të thellë janë marrë masa për hapjen e ujëlëshuesve për të lehtësuar nivelin e ujërave të rezervuarit pas mbushjes së tij nga reshjet e shiut dhe shkrirja e dëborës. Një pjesë e ujit të rezervuarit është zbrazur në ujërat e lumit Devoll ndërkohë që ndërmarrja e Bordit të Kullimit nisur nga situata tejet alarmante ka kërkuar një fond për ndërhyrje në këtë digë. Rrëshqitja po monitorohet nga institucionet pasi sipas të dhënave nga vërshimi i ujërave të rezervuarit rrezikohen disa banesa të fshatit dhe tokat bujqësore në afërsi të tij. Diga e rezervuarit më të madh pranë këtij fshati sipas drejtorit të Bordit të Kullimit në Korçë Pëllumb Tuxhari ka pësuar çarje anësore dhe rrezikon shembjen nga prurjet e shumta të ujërave. Specialistët pas inspektimeve në terren kanë hartuar një raport të detajuar për Ministrinë e Bujqësisë mbi gjendjen edhe për të kërkuar fonde që të ndërhyhet për të shmangur rrezikun që sjell çarja e pjesshme e digës së rezervuarit të Koshnicës. Rezervuari i Koshnicës në rrethin e Devollit ka një kapacitet ujëmbledhës prej 5 milion metër kub.

I. Frasheri

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›