E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet Cana, rrezikon miqësoren me Uzbekistanin

27-vjeçari u përplas me njërin prej shokëve të skuadrës gjatë seancës stërvitore paraditen e djeshme, vetëm pak orë pas ndeshjes ndaj serbëve të OFK Beogradit në Ligën e Evropës. Sipas mjekëve të Gallatasarajit, ky dëmtim mund ta detyrojë zëvendëskapitenin kuqezi të qëndrojë dy javë jashtë fushe.

Gjithsesi, analizat e hollësishme që do të kryhen sot, do të përcaktojnë afatin e nevojshëm për t’u riaftësuar. Sipas mediave turke, shkaku i dëmtimit të Lorik Canës ka qenë gjendja jo e mirë fizike, pasi ai ka vetëm pak javë që i është bashkuar ekipit verdhekuq.

Në pritje të përgjigjes së analizave të mesfushorit, për kroatin e stolit kuqezi, Josip Kuzhe, mund të ndryshojnë shumë plane lidhur me miqësoren e 11 gushtit. Ndërkaq, është e sigurt mungesa e Canës në ndeshjen e kthimit ndaj OFK Beogradit, që do të luhet javën e ardhshme në kryeqytetin serb. Ndeshja e parë e luajtur në Stamboll përfundoi 2-2.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›