E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ervin Skela, rikthimi me lavdi në kombëtare

Irgis Hysenaj
Edhe pse trajneri Oto Baric e largoi nga skuadra për formë të dobët në fushën e lojës, ai e dinte se do të rikthehej. Për më tepër që nuk mund të pranonte të mos ishte pjesë e kombëtares shqiptare, për të cilën ai do të bënte gjithcka, vetëm për të veshur fanellën. Momentet në të cilat ai e shikonte skuadrën nga televizori duhet të kenë qenë më të vështirat për të. Megjithatë ai nuk u dorëzua. Ervin Skela ka lindur më 17 nëntor të vitit 1976 në qytetin e Vlorës. Karrierën e tij si futbollist ai e filloi me skuadrën e qytetit, Flamurtarin, ku dhe vuri në pah aftësitë dhe talentin e tij në fushën e lojës. Më vonë Skela u transferua në kryeqytet ku u bë pjesë e ekipit të Tiranës. Në vitin 1997 ai kaloi në Gjermani me skuadrën e Unionit të Berlinit. Vlonjati luajti për dy sezone me skuadrën berlineze.(1997-1999). Më pas ai ndërroi skuadrën, ku për një sezon luajti me ekipin e Chemnitzer FC (1999-2000). SV Waldhof Mannheim do të ishte skuadra e tij e radhës në Bundesliga 2, ku vetëm për një pikë, Skela me shokë nuk arritën që ta conin ekipin në kategorinë e më të mirave. Megjithatë, mesfushori vlonjat arriti që të kalonte në Bundesliga 1. Në vitin 2001, Skela nënshkroi një kontratë me skuadrën e Eintrahtit të Frankfurtit, ku luajti 3 vjet dhe ku zhvilloi një paraqitje të mirë. Arminia e Bielefeldit do të ishte skuadra e radhës për një sezon tjetër dhe nga 2005-2006, Ervin Skela veshi fanellën e FC Kaiserslauternit. Pas një paraqitjeje zhgënjyese të skuadrës gjermane, e cila përfundoi me rënien nga kategoria, Ervin Skela la Bundesligën gjermane për t'u transferuar në kampionatin më të fortë në botë, Serinë A. Vlonjati nënshkroi një marrëveshje me ekipin e Askolit, por që zhgënjeu dhe u detyrua të rikthehej përsëri në Gjermani. Këtë radhë me klubin e Energie Kotbusit. Ervin Skela është i gjatë 1metër e 73 cm dhe peshon 68 kg. Dallohet për aftësitë e mira organizative në fushën e lojës, që e bëjnë atë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Shumë teknik dhe i lëvizshëm, Skela përdor mirë të dyja këmbët. Për shkak të gjatësisë të tij, vlonjati nuk është shumë i aftë në luftën në ajër. Megjithatë ai ekzekuton shumë mirë goditjet e dënimit. Tipari më i rëndësishëm i Ervin Skelës është aftësia e tij për të organizuar lojën e skuadrës. Vlonjati dallohet për fantazinë e tij në fushë, që e ndihmon atë të bëjë rolin e regjisorit dhe të ndërtojë aksionet në mesin e fushës. Pas rënies nga kategoria të ekipit të Kaiserslauternit, Skela vendosi që të kalonte në Serinë A. Ai nënshkroi një kontratë 1-vjecare me ekipin e Askolit. Ndeshja e parë në Serinë A ishte kundër ekipit të Atalantës, më 9 shtator të vitit 2006. Megjithatë mesfushori vlonjat e pati shumë të vështirë që të përshtatej me skuadrën dhe futbollin italian. Ai u aktivizua në vetëm 7 takime, por nuk arriti që të bindte teknikun e skuadrës për një vend në formacion. Kështu, me vetëm gjysmë sezoni të zhvilluar Skela u detyrua që të largohej nga ekipi, pas dështimit në Itali. Mesfushori arriti që të nënshkruante një kontratë të re me ekipin Gjerman të Energie Kotbus, duke u rikthyer aty ku ai di të shfaqë më mirë aftësitë e tij, në Bundesligë. Edhe pse pati disa probleme për të rifituar formën e tij fizike, përsëri Ervin Skela ia arriti që të zinte një vend në formacion. Energie Kotbus shpëtoi nga rënia nga kategoria, ndërsa Skela luajti në disa ndeshje. Këto paraqitje ishin të mjaftueshme për të treguar se vlonjati ishte rikthyer përsëri, dhe ishte gati për t'u rithirrur në kombëtare. Skela kërkonte një mundësi të dytë, të cilën Oto Baric ia dha. Dhe ai nuk zhgënjeu. Në miqësoren me Anglinë, ai mori vlerësimet e kroatit për paraqitjen e bërë, duke e gëzuar edhe atë dhe duke marrë sërish ftesën për dy sfidat ndaj Luksemburgut. Në fushën e lojës ai bëri atë që di të bëjë më mirë, të organizojë skuadrën. Nëse në ndeshjen parë ai ishte pikënisja e aksioneve, në të dytën ai donte të bënte dicka më shumë. Dhe ia arriti. Gol dhe spektakël. Kështu, koha kur nuk aktivizohej me kombëtaren është shumë larg. Skela tashmë është sërish ai..., regjisori i përfaqësueses shqiptare të futbollit. Ervin SKELA Gjatësia: 1. 73m Pesha: 68.00 kg Kombësia: Shqiptar Ditëlindja: 17/11/1976 Vendlindja: Vlorë Skuadra: Energie Cotbus Pozicioni: mesfushor

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›