Ervin Skelës i mohojnë gol të rregullt
• Ervin Skela ishte ndër më të mirët e Energi Kotbus, pavarësisht humbjes 2-3 me Bajer Leverkusenit.Fantazisti ekzekutoi shkëlqyeshëm një goditje standarde, ndërsa shqiptarit iu anulua një gol i rregullt në minutën e 83-të, kur rezultati ishte ende 2-2. Edmond Kapllani vazhdon të mbetet një zgjedhje e dytë për trajnerin e Kalrsruhes, Edmund Beker, megjithëse shqiptari gëzon një formë të mirë. Atij i është dashur të bëjë rezervën e blerjes më të re të skuadrës, Xhoshua Kenedi, i cili ishte edhe autori i një prej golave të Karlsruhes dje. Kjo e fundit fitoi 2-0 me Nurembergun, ndërkohë që sulmuesi durrsak ka luajtur vetëm në shtatë minutat e fundit, kur zëvendësoi australianin Xhoshua Kenedi në minutën e 84-ët. Kenedi dha edhe asistin e golit të parë të realizuar nga Eihner, por edhe shënoi golin e dytë të Karlsruhes në debutimin e tij të parë me skuadrën e Edmund Beker. Nëse ky është një lajmi mirë për skuadrën, nuk është aspak një sinjal i mirë për Kapllanin, i cili tashmë do të ketë një konkurrent më shumë në ekip. Erjon Bogdani ka bërë një ndeshje shumë të mirë dje kundër Palermos, por ka qenë portieri i kësaj të fundit, Fontana, ai që i ka mohuar sulmuesit të Kombëtares shqiptare golin e dytë të sezonit. Palermo-Livorno përfundoi 1-0 me gol të shënuar nga Mikoli. Shqiptari fitoi duelin me Tristanin, për një vend titullari dhe në minutën e 39-të të ndeshjes ai ka bërë një goditje në gjysmë roveshatë dhe topi u drejtua drejt këndit të portës, por portieri i Palermos, Fontana, arriti të devijonte topin. Bogdani ka qenë një ndër më të mirët më fushën e lojës dje, megjithëse luajti 77 minuta. Ai u zëvendësua nga Rosini. Edgar Çani dhe Samir Ujkani nuk kanë qenë as në stolin e rezervave dje kundër Livornos. Ndërkaq, pritet që Igli Tare ta nisë nga stoli ndeshjen e sotme kundër Sampdorias.