E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ervis Jegeni, fitorja e 4-të në ringun profesionist

Boksieri i ri shqiptar i kategorisë së rëndë, Ervis Jegeni, ka shënuar edhe fitoren e katër radhazi në ringun profesionist. 20-vjecari i lindur në Durrës, ka mposhtur hungarezin 31-vjecar, Gabor Gyuris. Përballja e zhvilluar në Torrevieja të Spanjës e paraparë të zgjasë katër runda, nuk ka zgjatur më shumë se një minutë. Kur kishin kaluar vetëm 12 sekonda nga "gongu" shqiptari ka nokautuar kundërshtarin, ndërsa disa sekonda më vonë ka rrëzuar për herë të dytë hungarezin.
"Ky njeri është dikush që do të shkojë larg dhe pas disa viteve ne do të themi se kemi qenë të privilegjuar duke e parë atë në aksion në Torrevieja në fillim të karrierës së tij. Një boksier i kategorisë së rëndë që lëviz shumë, me këmbë dhe duar të shpejta. Madje aq të shpejta sa e ka nokautuar kundërshtarin e tij pas vetëm 12 sekondash. Gjysmë minute më vonë gjyqtari është dashur të ndërpresë luftën pasi hungarezi është rrëzuar për herë të dytë", shkruan gazeta spanjolle "Loader".
Përballja e fundit ka treguar se shqiptari megjithëse në moshë të re është i gatshëm për përballje me boksierë të nivelit të lartë. Jegeni konsiderohet si një nga boksierët më të talentuar të kategorisë së rëndë në Angli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›