Dëshira e Demirit, kartoni i kuq për Nexhipin

Shkup – Në derbin e së dielës të zhvilluar në stadiumin e qytetit në Shkup, midis Vardarit dhe Rabotnickit, në qendër të vëmendjes ishin dy shqiptarët Ertan Demiri i Vardarit dhe Nderim Nexhipi i Rabotnickit. Të dy këta në jetën private janë shokë të pandashëm, por në fushën e gjelbër nuk e njihnin njëri tjetrin. Secili luftonte për ngjyrat e klubit në të cilin luan. Madje në pjesën e parë Nexhipi u ndëshkua me kartonë të verdhë pas një starti të ashpër ndaj Demirit.
"Qëllimi im ishte që Nderimi të ndëshkohet me karton të kuq. Në momentin kur Nexhipi startoi në mua, unë edhe simulova pak mos po e
ndëshkon arbitri me karton të kuq, por nuk ia arrita qëllimit. Në derbi nuk e njoh askënd, pra as shokun tim Nderimin", u shpreh pas ndeshjes Demiri.
Ndërkohë Nexhipi thotë se Demiri në lojë dinë edhe të provokojë.
"Ai më provokonte vazhdimisht dhe unë startova në të, kurse referi më ndëshkoi me karton të verdhë. Madje ai simulohej se ka dhimbje të forta dhe për disa momente rrinte i shtrirë në fushë. E dija se ku e ka qëllimin", ka pohuar Nexhipi.
Ndryshe, të dy pas përfundimit të ndeshjes kanë qëndruar në një nga lokalet e Shkupit, ku kanë komentuar ndeshjen e cila përfundoi në favor të skuadrës së Nexhipit, Rabotnicki Kometall.
Reshat Ibrahimi