Shkëndija rrezikohet për ndeshje suplementare

Tetovë - Pelisteri bëri befasinë në Tetovë në ndeshjen e dytë, kur mposhti ekipin "kuqezi". Kjo disfatë erdhi në një moment të pavolitshëm, duke pasur parasysh orarin e takimeve, ku skuadra e Shkëndijës do të ndeshet të mërkurën me fituesin e Kupës Makedonija, ndërsa të dielën me kampionin aktual Rabotnicki. "Shkëndijës i kanë ikur trembëdhjetë futbollist. Lojtarët që po luajnë kanë motiv dhe forcë për lojë, por nuk duhen të ndëshkohen në këtë mënyrë nga ana e referimit jo korrekt. Mendoj se nuk i nevojitej ndihma mysafirëve, të cilët kishin përvojën në krahasim me futbollistët tonë", tha Miha.
Në këtë takim skuadra ishte e hendikepuar pa futbollistin e lënduar Festim Ademi, i cili do të mungojë edhe në dy takimet e ardhshme. "U tregua se ai (Ademi) është i nevojshëm për skuadrën, por ja që lëndimi e bëri punën e vetë. Me inkuadrimin e Sallait në vend të Mustafit në pjesën e parë, ne arritëm të krijojmë më tepër raste" tha Miha.
Të mërkurën Shkëndija'79, do të përballet me skuadrën e Makedonija nga Gjorce Petrov. "Ne do të shkojmë të bëjmë lojën tonë dhe shpresoj se përkundër lëndimit që ka Mumin Sallai, ai do të jetë në dispozicion timin", tha më tutje trajneri i Shkëndijës.
Mesfushori Festim Ademi tha se nuk do të ketë mundësi t'ju ndihmojë bashkëlojtarëve të tij në dy ndeshjet e rëndësishme të Shkëndijës. "Në ndeshjen para Pelisterit dola në stërvitje, por nuk jam gati. Do të shkoj në kontrollime dhe në momentin që do të marrë dritë të gjelbër do të kthehem në terrenin e gjelbër", përfundoi Ademi.
Vullnet Dauti