Ervis Tabaku, medalje argjendi në Kampionatin Botëror për të rinj
Ervis Tabaku shpallet nënkampion i botës për të rinj, në peshën 85 kg. Në kryeqytetin rumun, Bukuresht, 19-vjeçari ishte peshëngritësi i tretë kuqezi (nga katër pjesëmarrës) që ka hipur në pedanë. Një paraqitje e shkëlqyer, e cila është venitur vetëm nga kampioni i ri i botës, polaku Adrian Zielinski. Tabaku ka luftuar deri në fund, madje duke tentuar të fitojë edhe vendin e parë, por është detyruar të kënaqet vetëm me medaljen e argjendit. Problemi kryesor në garim e tij ka ardhur në stilin e shkëputjes, ku humbi dy provat e para. Fillimisht ai kishte kërkuar 155 kg, por duke parë rezultatet e kundërshtarëve e ngriti peshën në 160 kg, pa arritur ta realizojë ngritjen. Në provën e dytë, Tabaku e ka rritur peshën e shtangës në 166 kg, por sërish ka dështuar. Prova e tretë dhe vendimtare, me të njëjtën peshë ishte e suksesshme dhe i ka siguruar vendin e dytë pas polakut Adrian Zielinski, që ka ngritur 169 kg (3 kg më shumë). Në stilin e shtytjes, peshëngritësi shqiptar ka kërkuar 185 kg, por ashtu si më parë, ai e ka rritur peshën: fillimisht në 188 kg dhe më pas në 191 kg, ku nuk hasi asnjë vështirësi. Edhe për provën e dytë pesha është ndryshuar nga 195 kg në 196 kg, duke qenë përsëri i suksesshëm. Skenari është përsëritur edhe në provën e tretë, ku fillimisht Tabaku kërkoi 197 kg, por më pas e ka rritur peshën në 200 kg. Kuqeziu vendosi ta ngrinte peshën në shtangë, deri në 202 kg, duke tentuar të fitojë medaljen e artë. Kjo pasi polaku Zielinski e mbylli garën me 199 kg në këtë stil dhe 368 në dygarësh. Me 202 kg Tabaku do ta barazonte këtë peshë dhe shpallej kampion bote falë peshës më të lehtë trupore. Gjithsesi, ai dështoi në tentativën finale, duke e mbyllur garën në shtytje në vendin e tretë me 166 kg. Ndërkohë, në dygarësh, kuqeziu mori medaljen e argjendtë, duke u renditur i dyti me 362 kg të ngritura në total.