Lonçareviç, sot zyrtarizimi te Tirana
Ilija Lonçareviç është thuajse 100% trajneri ri i Tiranës për sezonin e ardhshëm. Shanset që një gjë e tillë mos të ndodhë janë thuajse inekzistente, edhe pse drejtuesit e klubit bardheblu kanë preferuar të tregohen enigmatikë në përfundim të takimit mes palëve, të zhvilluar dje në ambientet e vila "Gold", rezidencës së kryedonatorit Refik Halili. Tratativat kanë zgjatur mbi një orë dhe në fund të dyja palët kaluan para gazetarëve, por duke zgjedhur të mos flasin, sepse sipas tyre asgjë nuk "është mbyllur përfundimisht. Bisedimet do të duhet të vazhdojnë edhe nesër (sot)". Megjithatë, burime të mirinformuara pranë kryedonatorit Halili kanë pohuar se "emërimi i kroatit Lonçareviç në postin e trajnerit të Tiranës është i sigurt. Sot do të bëhet edhe zyrtarizimi i tij". Ilija Lonçareviç, i cili ka qenë mes kandidatëve për të marrë Kombëtaren shqiptare pas largimit të Hanit, ka një eksperiencë të madhe si trajner. Ai ka drejtuar shumë skuadra kroate të njohura, si Dinamo e Zagrebit, Osijeku, Rijeka etj. Me Dinamon e Zagrebit ka fituar titullin kampion në 1999-ën. Ndërsa ka drejtuar dy herë Kombëtaren e Libisë në 2003-2004 dhe në 2005-2006.