Teatri Kombëtar mbyll sezonin me komedi
"Forca e zakonit", komedia e vetme e autorit të njohur austriak, Tomas Bernard, do të mbyllë sezonin artistik në Teatrin Kombëtar. Pjesa do të shfaqet vetëm sot në mbrëmje, ora 20:00, për t‘u rikthyer pas hapjes së zezonit të ri artistik. Pjesa do të vijë nga regjisori austriak, Kristian Papke. Historia e një drejtuesi cirku, përpjekja e të cilit për ngritjen e një orkestre shkon deri në obsesion, vjen nën interpretimin e Vasjan Lamit, Neritan Liçajt, Arben Derhemit, Sueda Hoxhës, Elton Çefës. Papke, një regjisor i ri, i prirur drejt teatrit modern, është përpjekur që në skenën shqiptare të sjellë të mesmen, një ndërthurje mes tendencave bashkëkohore dhe klasikes. Shfaqja nuk do të jetë vetëm aktrim i mirëfilltë, por i shoqëruar edhe me pjesë koreografike të realizuara nga Gjergj Prevazi. Në këtë sipërmarrje, asistentet e tij janë Englantina Cenoymeri dhe austriakja Julia Baule. Një tjetër austriak ka marrë përsipër skenografinë, Alois Galle. Pjesa realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë sonë të Kulturës dhe Ambasadës Austriake në Tiranë. "Ne përpiqemi të tregojmë tragjedinë dhe në të njëjtën kohë komedinë, sepse të tillë e kam lexuar tekstin, në dy aspekte. Në leximin e parë i referohemi realitetit që na bën të reflektojmë për jetën e secilit prej nesh, ndërsa aspekti i dytë na mëson ta duam veten. Edhe pse jetojmë në një kohë të vështirë, kemi akoma sëmundjet tona, na nxit të kapim të ardhmen. Ky është mesazhi që duam t‘i përcjellim spektatorit", ka theksuar regjisori.