Tirana feston Ditën Ndërkombëtare të Muzikës
Kompozitorë të njohur botërorë janë përzgjedhur si motiv për Ditën Ndërkombëtare të Muzikës. Teatri i Operës dhe Baletit ka bashkëpunuar me shoqatën "Artema", për të sjellë një koncert që përkon me dy ngjarje muzikore: dita e muzikës dhe njëvjetori i krijimit të "Cameratës" së Tiranës. Nesër në mbrëmje, ora 20:00, në sallën e TOB, "Artema", duke ndjekur ambiciet e saj për t‘i dhënë jetë muzikës klasike nëpër skenat shqiptare, pjesë e projektit të shtrirë në kohë, sjell në këtë program pjesë shumë të njohura dhe meqenëse festa është një traditë evropiane, atëherë dhe programi do të jetë i larmishëm me pjesë si: Mozart, Grieg, Tchaikovsky, Bizet, Britten. Protagonistët e mbrëmjes do të jenë mexosopranoja Vikena Kamenica dhe në cilësinë e të ftuarit dirigjenti francez, Jean Michel Ferran. Në 2008-ën u mbajt edhe koncerti i parë i "Cameratës së Tiranës", me solisten e mirënjohur shqiptare, Klodiana Skënderi.