E Shtunë, 31 Tetor 2026

Esat Ademi: “Shtanga e paster, për medalje në Itali”



Presidenti i Federatës së Peshëngritjes Shqiptare, Esat Ademi, beson se shtanga kuqezi e ka lënë pas shokun e dopingut dhe tashmë ajo i ka të gjitha mundësitë në Kampionatin Europian të Lenianos (11-20 prill) të afirmohet si një fuqi kontinentale.
Ademi, i cili është edhe president i Konfederatës së Mesdheut për peshëngritjen, është kandiduar nga 18 federata europiane për të qenë edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv prej 6 anëtarësh të Federatës Europiane të Peshëngritjes. Gazeta “Albania” zhvilloi një intervistë me kreun e shtangës 48 orë përpara fillimi të Kampionatit Europian, ku Shqipëria përfaqësohet me një ekip të kompletuar: 8 meshkuj dhe 8 femra. “Shpresoj se do të kthehemi me medalje nga Italia, por besoj shumë se do të çojmë në Kinë të paktën dy peshëngritës, një nga meshkujt dhe një nga femrat”, - thotë Ademi.

Zoti Ademi, Shqipëria merr pjesë në një aktivitet të rëndësishme siç është Kampionatit Europian i peshëngritjes që nis të premten (11 prill) në Itali. Si do të paraqitet vendi ynë?
Kampionati Europian i Peshëngritjes që zhvillohet në Itali ka rëndësi të dyfishtë. E para, ka të bëjë me nivelin e lartë të aktivitetit në rang kontinental për të rritur ku Shqipëria ka
synimet e saj për t’u radhitur ndër ekipet më të mira të Europës, dhe e dyta është fakti se nga rezultatet e tyre varet edhe pjesëmarrja me sportistë me normë të kualifikuar në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”. Ky është një motiv më shumë për rezultate të mira.
Çfarë do të veçonit nga këta peshëngritës?
Rasti i veçantë ka të bëjë me Maria Velin, një peshëngritëse nga Fieri, por që prej nëntë vitesh është stërvitur në Greqi dhe ka ardhur prej andej për të përfaqësuar Shqipërinë. Dëshiroj ta them me plotë gojën, se edhe vendimi i Këshillit të Ministrave për shpërblimet e sportistëve që arrijnë medalje ka influencuar jashtëzakonisht. Nga një vend eksportues shtangistësh në Greqi, dua të përmend emra të mëdhenj, si Piro Dhima, Luan Shabani, Viktor Mitre, Agim Xhelili, etj. shndërrohet në një federatë që jo vetëm nuk çon më sportistë, por nga Greqia vijnë shqiptarë për të garuar për vendin e tyre. Mendoj se në Kampionati Europian ekipi ynë do të bëjë një përformancë shumë të mirë, duke marrë parasysh edhe faktin e përgatitjeve shumëvjeçare që ka kryer.
Si një president, i cili jeton me peshëngritjen dhe që i njihni cilësitë e shtangistëve tanë, nga kush presim medalje në Europian.
Federata jonë shpreson se të gjithë do të luftojnë për zonën e medaljeve, por besojmë se Erkand Qerimaj për meshkuj dhe Romela Begaj për femra nuk do të na zhgënjejnë.
Sa sportistë mund të kualifikohen direkt për Olimpiadën e Pekinit?
Dy shtetet që renditen të parat kualifikojnë nga dy sportistë. ndërsa nga vendi i tretët e deri te i pesti çojnë në Pekin nga një sportist. Besoj se ne do të kualifikohemi për të rritur me një shtangist për meshkuj e femra. Në garë me ne është edhe Turqia, që nuk është kualifikuar nga aktivitetet e mëparshme, pasi ka pasur të njëjtin problem si Shqipëria, me çështjen e dopingut.
A mund ta konsiderojmë si të kaluar atë njollë të zezë që na la dopingu me shkurorëzimin e Fetie Kasaj e të tjerëve?
Në Shqipëri janë bërë 68 kontrolle anti-doping mbas rastit të rezultimit të Fetie Kasaj si përdoruese e substancave të ndaluara. Ne do të bashkëpunojmë edhe me Federatën Botërore të Peshëngritjes për të realizuar edhe kontrolle të tjera për të vendosur një barrierë të fuqishme këtij fenomeni, të cilin me keqardhje duhet ta pranojmë se ekziston edhe ne federata të tjera në Shqipëri. Ky është një fenomen që ka qenë i pranishëm si në atletikë, në qitje, në futboll. Të gjithë drejtuesit e sportit në Shqipëri duhet t’i thonë ndal këtij fenomeni, për të nxjerrë një mësim nga pësimi. Shqipëria nuk duhet të shkojë në Europian për të marrë medalje, që pas disa ditësh t’i kthejë mbrapsht me turp. Me keqardhje them, rasti “Kasaj”.
A i ktheu medaljet ajo?
Patjetër që po. Ato ishin medalje jo të meritës, por të dopingut.
Pëshëngritja jonë vuajti jo pak nga imazhi i keq dopingut. Tashmë e them e them me plot gojën se jemi larg atij momenti që i dha një përmasë negative shtangës sonë. Rrugën na e hapi kampionatin Lojërat Mesdhetare të Qipros ku Shqipëria zuri vendin e parë. Mendoj se dhe në Itali do të dalim me sukses dhe do të kualifikohemi në Olimpiadë me sportistë dinjitoz, si në femra ashtu dhe në meshkuj. Është hera e parë që Shqipëria që merr pjesë një aktivitet të përmasave të mëdha ndëkombëtare si me femra ashtu dhe për meshkuj. Ne e kemi këtë mundësi falë edhe përgatitjes së madhe.
Shqipëria do të zhvillojë për herë të parë një Kampionat Europian për të rinj në Peshëngritje.
Federata jonë ka fituar përvojë të madhe në organizimin në nivel kombëtar e në turne ndërkombëtarë. Kampionati Europian për të rritur do të na shërbejë edhe për të realizuar perfekte Kampionatin Europian për të rinj që do të zhvillohet në Durrës (14-21 shtator 2008). Pjesë më madhe e shtangistë tanë, që do të marrin pjesë në Europianin për të rritur, do të marrin pjesën në Europianin për të rritur, pasi përmbushin kriteret e moshës. Të janë medalistë dhe kanë regjistruar edhe rekorde europiane për U-17, si dhe janë renditur ndër vendet e mira në europiane dhe botërore. Nuk dua të lë pa përmendur bashkëpunimin e mirë me drejtuesit e bashkisë Durrës, zotin Vangjel Dako. Baza materiale dhe elektronike do të vijë nga Federata Italiane.
Ju jeni Presidenti i Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes, një konfederatë që përfshin gati 23 vende, por dhe i vetmi president i një federatë të shumësportëshit shqiptar që gëzoni këtë privilegj. Sa ndikon prania juaj në imazhin e Shqipërisë?
Të qenit president i Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes nuk e quaj të rëndësishëm në planin personal, por në atë kombëtar. Jua them me sinqeritet, ndihem krenar kur drejtoj takimet e Konfederatës. Pa dyshim që ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e imazhit të Shqipërisë, kjo falë edhe rezultateve të arritura nga peshëngritja jonë. Puna ime në këto vite si drejtues i Federatës së Peshëngritjes dhe serioziteti me të cilin Shqipëria është prezantuar ishte një kartvizitë e besueshme për t’u zgjedhur në këtë post të lart. Edhe konsideratat e homologëve të mi të federatave pjesëmarrëse në konsideratë kanë ndikuar jo pak. E konsideroj një gjë jashtëzakonisht të mirë, pasi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në politikat sportive, por edhe një shërbim tjetër i përfaqësimit të shtetit tonë dhe ekspozimin e vlerave turistike e kulturës shqiptare. Tashmë ne nuk përfaqësohemi në aktivitetet ndërkombëtare me sportistë, por kemi edhe individë në krye të institucioneve ndërkombëtare. Kontributin dua ta ndaj së bashku me Ilir Krajën (sekretarin e FSHF-së), Përparim Ferunin, por edhe me trajnerët e peshëngritësit, të cilët kanë punuar. Sot jemi më mirë se kurdoherë tjetër. Kemi marrë 53 medalje në Botëror e Europian për të rritu dhe të rinj.
Intervistoi: Dash Frashëri

Skuadrat tona
Meshkuj
Erkand Qerimaj, Gerti Trasha, Taulant Çerepi, Endri Karina, Dainel Godelli, Briken Çalja, Elvis Tabaku, Merian Bregu,

Femra
Romela Begaj, Shqiponja Guhacaj, Sherjana Ruci, Natmira Voci, Blerina Rusi, Maria Veli, Manjola Karaj.

Konfederata Mesdhetare e Peshëngritjes

Konfederata Mesdhetare e Peshëngritjes (Mediterranean Weightlifting Confederation , MWC) u themelua në 2 dhjetor të vitit 2005 në Bari të Italisë dhe përbehet nga 23 shtete themeluese, vende që lagen nga ujërat e Detit Mesdhe. Në mbledhjen themeluese të saj morri pjesë edhe presidenti i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Valdemar Bazanovski. Esat Ademi, presidenti i Federatës së Peshëngritjes të Shqipërisë u zgjodh president i parë i saj, ndërsa Sekretar i Përgjithshëm është italiani Mauricio Lo Buono.

Ademi, kanditat për Bordin Ekzekutiv Europian

“Unë tani jam i propozuar për në Bordin Ekzekutiv të Federatës Europiane të Peshëngritjes, ku marrin pjesë 6 anëtarë dhe jam i propozuar nga 18 federata”, - tha presidenti i FSHP-së, Esat Ademi. “Nuk e di nëse do të zgjidhem apo jo, por kjo do të vendoset në Kongresin që do të mbahet ditën e shtunë, më 13 prill në Vjenë të Austrisë. Edhe Përparim Feruni do të zgjidhet në një prej komisioneve të Federatës Europiane. Prania jonë ka ndikuar edhe në organizmin e Kampionatit Europian për të rinj në Durrës, çka vlerëson edhe rolin pozitiv të federatës sonë”, - thotë ai.

Filja-Gogunja në bankinën verdhblu

Drejtori teknik i Elbasanit, Artim Kovaçi, konfirmoi për “Ora Sport” largimin e ish-trajnerit Krenar Alimehmeti nga bankina verdheblu, pas humbjes së thellë 3-0 të 2-herë fituesve të Kupës së Shqipërisë me Tiranën në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës. Presidenti Arben Laze ka bërë edhe zgjidhjen e tij për vendin e lënë bosh. Ilirjan Filja dhe Bujar Gogunja do të drejtojnë skuadrën deri në fund të sezonit. Ky është rasti i dytë që një skuadër do të drejtohet nga dy trajnerë njëherësh. Edhe Besa, pas shkarkimit të Starovës do të drejtohet nga dyshja Haxhiaj-Berati.
Alimehmeti, i cili drejtoi ish-skuadrën e tij në fitoren 3-1 me Besën, që solli edhe shkarkimin e Sulejman Starovën, ishte një ndër tre trajnerët e mbijetuar. Ish-trajneri i Tiranës arriti në 26 javë në drejtimin e Elbasanit 11 fitore, 9 barazime dhe 6 humbje. Humbja më e turpshme për verdheblutë ishte ajo kundër Tiranës, që me 9 veta arriti të përmbysë disavantazhin 0-1 duke fituar me rezultatin 2-1.
Kur kanë mbetur edhe shtatë javë nga përfundimi i sezonit të palëvizuara kanë mbetur dy bankina: Partizani (trajner Hasan Lika) dhe Shkumbini (Gugash Magani). Të dy ekipet do të përballen në javën e 27-të, ku për të kuqtë një fitore apo një humbje do të thotë shumë, parë edhe faktin se Dinamo kruesuese (51 pikë) do të përballet me Flamurtarin, në një version miqësor.

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›