Geri Malaj, një “Zidan” shqiptar kampion në Spanjë
EKSKLUZIVE- Bajerni bleu gjatë vitit të kaluar një talent brazilian 13-vjeçar, Çelsi nënshkroi me suedezin 12-vjeçar. Interi në kërkim të një gjeniu në Brazil. Lajme që na lënë sinqerisht me gojë hapur. Por këtë mund ta themi edhe për një futbollist shqiptar. Geri Malaj është blerë nga nga ekipi spanjoll Deportivo La Korunja në moshën 12-vjeçare duke paguar 12 mijë euro. Mesfushori i talentuar, i cili ka idhull dhe i ngjason në finesë francezit Zinedin Zidan, është aktualisht kampion i Spanjës në ligën “Juvenil A”, duke thyer çdo rekord për moshën në atdheun e Raulit e Karles Pujolit.
Ju jeni shqiptari i vetëm që luani për një klub spanjoll, me të rinjtë e Deportivo La Korunjës. Si e ndjeni veten në një prej ekipeve më të njohura në Spanjë?
Është e natyrshme që e ndjej veten krenar. Dhe të jem më i sinqertë edhe me shumë fat. Te jesh pjesë e një prej ekipeve më të rëndësishme në Spanjë, do të thotë se jo vetëm afirmim i vlerave, por edhe një vlerësim i punës së madhe dhe konsistente që bëj çdo ditë.
Në një nga turnetë e shumtë ndërkombëtarë, në atë “Coimbres”, të zhvilluar në Portugali, ju u shpallët lojtari dhe golashënuesi më i mirë. Sa krenar ju bën kjo, parë edhe faktin se ishit shqiptar?
Pa dyshim që është një arritje e ma dhe personale, por dhe për familjen time. Të shpallesh më i miri ndër lojtarët e 8 ekipeve ka një vlerë të madhe motivuese dhe një garanci se mund të bëhesh dikush në të ardhmen. Në këtë turne merrnin pjesë përveç skuadrës së të rinjve (“Juvenil”) të Deportivos edhe formacione të kësaj moshe të Portos, Benfikës, Sportingut, Boavistës, Koimbrës dhe Uralit.
Transferimi juaj te Deportivo bëri bujë në shtypin sportiv spanjoll dhe në atë lokal, kjo dhe dhe për faktin se të paguash 12 mijë euro për një djalë në moshën 12-vjeçare, nuk ndodh shpesh. Cila ishte jehona në Spanjë?
Transferimi im te Deportivo ishte një çmim i madh personal, jo vetëm financiar, pasi u zgjodha i vetmi ndër qindra fëmijë të shumë ekipeve të moshave që luanin në Galicia të Spanjës. Për mua dhe familjen time shqiptare, të fitosh një vend në ekipin e Deportivos, ndërkohë që klubi blen rregullisht lojtarë në të gjithë territorin spanjoll, është një meritë e madhe dhe një inkurajim i madh.
Në sezonin 2005-2006 u shpallët nënkampion i Ligës Nacionale dhe kampion i Ligës Lokale “ Juvenil C”. Cila është arritja juaj për sezonin aktual 2007-2008 dhe roli juaj në ekip?
Në të vërtetë gjatë këtyre gjashtë viteve që luaj me fanellën e Deportivo, rezultatet tona kanë qenë shumë të mira. Veçanërisht në sezonin aktual, ku kemi thyer të gjitha rekordet e historisë së Deportivos për këtë moshë. Aktualisht jemi shpallur kampionë të Ligës “Juvenil A”, pesë javë përpara së të mbarojë sezoni futbollistik dhe në muajin maj do të luajmë “Ligën e Kampioneve” rang kombëtar, atë të Spanjës, ku midis të tjerash marrin pjesë Espanjoli, Barcelona, Vilareali, Sevilja. Pas këtij aktiviteti dp të luajmë për Kupën e Mbretit (“Copa del Rey”) me ekipet më të mira spanjolle. Një e veçantë tjetër është edhe fakti se nuk kemi humbur asnjë ndeshje, ndërsa në planin personal jam i kënaqur, pasi kam luajtur të plota të gjitha minutat si mesfushor organizues.
Jeni thirrur për ndeshjen miqësore të Shpresave të Shqipërisë U-21 kundër Turqisë. A ëndërroni për të veshur një ditë fanellën e Kombëtares A?
Gjithmonë kam ëndërruar të përfaqësoj kombëtaren e Shqipërisë. Kam luajtur me përfaqësuesen e Galicisë U-18 në Spanjë, por thirrja për miqësoren me Shqipërinë U-21, sinqerisht ka qenë një nga momentet më të lumtura në jetën time. Mendoni kam që 3 vjeç në Spanjë. Të vishja për herë të parë fanellën kuqezi ishte një dhuratë e Zotit dhe e atyre që bën të mundur thirrjen time.
Po rriteni si futbollist në një nga vendet pararojë të futbollit botëror. Kujt i ngjani më shumë për nga cilësitë dhe cilat janë karakteristikat tuaja si lojtar?
Karakteristikat e mia janë tipike të një mesfushori organizues, më pëlqen të kontroll ritmin e ndeshjes. Mundohem të mos humbas asnjë top. Jam i ngarkuar nga trajneri të godas faullet, të gjuaj goditjet e këndit nga të dyja krahët, pasi kam fatin të përdor të dyja këmbët. Gjatë këtij sezoni vetëm me gjuajtje direkt kam shënuar katër gola. Të gjithë më konsiderojnë si një lojtar teknik me një goditje të veçantë të topit.
Cili është futbollisti juaj idhull në Spanjë, botë dhe në Shqipëri?
Unë jam ende i ri dhe futbollistë të jashtëzakonshëm në futbollin e sotëm ka shumë. Si mesfushor i ri, më ka impresionuar, ai që sot është idhulli im, Zinedin Zidan. E kam parë nga afër kur vinte me Realin në Riazor.
11 Prill 2008