E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i naftës, grosistët premtojnë një tjetër ulje

Javën që vjen pritet rënie e çmimit të naftës dhe benzinës me 5 lekë për litër, ndërsa importuesit janë të shqetësuar për luhatshmërinë e theksuar të çmimit të karburanteve në bursa

Edhe pse në bursa çmimi i naftës ka rënë nën 55 dollarë për fuçi, tregu vendas ende nuk po reagon lidhur me një tjetër reflektim. Por, megjithatë, grosistët e karburanteve kanë premtuar dje një tjetër ulje të çmimit, i cili ashtu sikurse edhe dy herët e fundit pritet të jetë me 5 lekë për litër. Ata pohojnë për gazetën “Korrieri”, se Shqipëria ka akoma rezerva nafte që është blerë në bursa në kohën kur çmimi ishte 65 dollarë për fuçi dhe me të mbaruar kjo sasi, atëherë do të pasqyrohet në tregun tonë të pakicës edhe një ulje e konsiderueshme çmimi. “Është e vërtetë që çmimi i naftës ka rënë që prej dy ditësh në bursa deri në 55 dollarë fuçia, por ne kemi ende rezerva, pasi importet bëhen kryesisht një herë në dy javë nga secila kompani. E njëjta situatë paraqitet edhe në rastet kur në tregjet ndërkombëtare rritet çmimi i naftës, pasi ne nuk e reflektojmë menjëherë këtë rritje”, thanë dje grosistët. Sipas tyre, rënie çmimi do të ketë, sepse kjo është logjike duke iu referuar uljeve në tregjet ndërkombëtare. Por një tjetër shqetësim i importuesve të karburanteve mbetet grafiku i çrregullt i çmimit të naftës bruto në bursa, i cili ngjitet dhe zbret çdo ditë me afro 5 për qind të vlerës totale të çmimit.

Ulja e çmimit

Edhe pse mbetet ende një premtim, grosistët thanë dje se çmimi i naftës dhe i benzinës do të ulet deri në 5 lekë, ndërsa mundësia më e madhe është që ulja fillestare të jetë me 3 lekë për litër, që pritet të fillojë që të hënën e javës që vjen. “Duke iu referuar ecurisë së bursave të karburanteve, mendoj se ulja do të aplikohet me 3 lekë për litër, mbase që të hënën, ndërsa gjatë javës, rënia totale e çmimit do të mund të shkojë deri në 5 lekë për një litër”, pohon një ndër importuesit më të mëdhenj të karburanteve në Shqipëri. Nga deklarata e grosistëve arrijmë në konkluzionin se javën tjetër, konsumatorët do të mund ta blejnë një litër naftë me afro 125 lekë për litër dhe një litër benzinë me rreth 130 lekë. Madje, në pikat e periferisë pritet që çmimet të jenë edhe më të ulëta se kaq, pasi edhe aktualisht periferia dhe pikat e vendosura jashtë zonave urbane aplikojnë çmime pakice për karburantet afro 6 për qind më të lira se pikat e shitjes pranë zonave të banuara.

Ideja e Entit Rregullator

Tashmë prej disa muajsh ekziston ideja e krijimit të një enti rregullator të tregut të karburanteve, ide kjo e ngritur nga komuniteti i biznesit. Kështu, Konfindustria i ka bërë një kërkesë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për krijimin e një institucioni të tillë, i cili është i vlefshëm për aq kohë sa tregu i karburanteve qarkullon shuma marramendëse parash. Në fakt, vlera e qarkulluar në treg mund të përllogaritet e barabartë me atë të tregut të energjisë elektrike apo të telekomunikacionit, sektorë për të cilët ekziston një Ent Kombëtar Rregullator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›