E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e armëve me leje biznesmenëve, absurde

Ish-ministri i Rendit thotë se kjo rrezikon biznesmenët, ndërsa ende ka në qarkullim armë pa leje

Partia Socialiste kundërshtoi dje urdhrin e dhënë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë për çarmatosjen e të gjithë biznesmenëve që kanë marrë armë me leje. Ish-ministri i Rendit Publik në vitin 2002, Stefan Çipa, i tha dje “Korrierit”, se vendimi në fjalë është mëse absurd. Sipas tij, ende nuk ka ardhur koha që biznesmenëve t’iu merren armët me leje, në një kohë që siguria në vend është në nivele kritike. “Me gjendjen e sigurisë sot në vend, për mendimin tim, është e parakohshme që ne t’iu heqim armët me leje, kur akoma janë në qarkullim armët pa leje që i kanë kriminelët. Ka akoma armë të pambledhura që nga shpërndarja e vitit 1997”, - deklaroi Sefan Çipa. Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare shtoi se, nisur edhe nga një tjetër nismë e qeverisë, që mundëson përgjimin e biznesmenëve, kjo kategori duket se po cënohet nga dita në ditë. “Biznesmenëve tani duke iu hequr armët, duke iu përgjuar telefonat, po iu bëhet gjëja më absurde që mund të ndodhë. Ata janë gjithmonë e më shumë të kërcënuar. Unë mendoj që nuk ka ardhur akoma momenti. Vetëm të shikosh sesa veprime kriminale kemi ndaj njerëzve të thjeshtë, pale më ndaj biznesmenëve, kjo nuk mund të bëhet”, - shtoi ai. Ndërkaq, afati përfundimtar gjatë të cilit duhej të mbyllej aksioni për mbledhjen e armëve që ishin dhënë me leje ka qenë fundi i muajit shtator. Biznesmenët duhet të viheshin në dijeni për daljen e këtij urdhri, e pas kësaj, ata vetë duhet të dorëzonin armën në vendin ku kishin bërë regjistrimin. Nga verifikimi i bërë të mërkurën nga “Korrieri”, pjesa më e madhe e biznesmenëve nuk janë vënë në dijeni për këtë urdhër. Ish-ministri i Rendit, Stefan Çipa, ka vërejtje edhe për mënyrën sesi është proceduar. “Aq absurde është kjo, sa ka përfunduar para se të fillonte. Aktualisht si afat ka pa përfunduar dhe nuk kanë marrë asnjë armë nga ato me leje. Se nga do të fillojnë më parë, këtu kam përshtypjen se do të ketë një përzgjedhje selektive”, - u shpreh ai. Sikundër nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, edhe pjesa më e madhe e biznesmenëve janë të revoltuar nga dalja e këtij urdhri. Sipas biznesmenëve, mbajtja e një arme zjarri shërben për vetëmbrojtje. Nisur edhe nga qëndrimi që mban ish-ministri i Rendit, Stefan Çipa, urdhri duket vërtet absurd. Për sa kohë ka ende në qarkullim armë zjarri, ndër ato që u përvetësuan nga qytetarët në ngjarjet e vitit 1997 etj., e niveli i sigurisë ende lë për të dëshiruar, urdhri duket se më shumë lehtëson kriminelët që të arrijnë qëllimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›