Eshli Kol nën hetim goditi me armë anëtarin e stafit
LONDER-Një ngjarje shokuese ka ndodhur në qendrën stërvitore të Çelsit, në Kobham, teksa futbollisti Eshli Kol ka goditur në mënyrë aksidentale me pushkë me ajër të kompresuar një anëtar të stafit mjekësor. Sipas trajnerit Karlo Ançeloti, klubi do të ndërmarrë sanksione të forta ndaj lojtarit, ndërkohë që pritet që gjoba të shkojë deri në 300 mijë euro. Ngjarja e ndodhur pak ditë më parë është denoncuar në shtypin anglez, ndërkohë që tashmë edhe policia ka nisur një hetim për këtë. I plagosuri i këtij incidenti është studenti i shkencave sportive Tom Kauan, i cili gjithsesi nuk ka patur nevojë për t’u shtruar në spital. Duke folur para ndeshjes me Mançesterin, Ançeloti tha: “Nuk jemi të lumtur me atë që ndodhi, por Eshlit i vjen shumë keq dhe ka kërkuar falje, ishte vetëm një aksident”. Ançeloti tha se pavarësisht sanksioneve, Eshli Kol do të luajë në ndeshjen e së martës ndaj Mançester Junajtid. “Them se gabimi kryesor ishte që arma ndodhej në qendrën tonë stërvitore, pasi ne nuk dinim asgjë për këtë. Eshli Kol i kërkoi falje djaloshit, shokëve të skuadrës dhe klubit, megjithatë do të marrë ndëshkimin e tij. Nuk mund ta përjashtojmë, sepse këtu ka patur gjithnjë sjellje shembullore”, deklaroi Karlo Ançeloti. Ndërkohë, një zëdhënëse e Policisë bëri të ditur se çështja do të hetohet edhe pse ende nuk ka një akuzë ndaj Eshli Kol. “Do të kontaktojmë fillimisht klubin për të kuptuar nëse ka patur ndonjë akt kriminal”, tha ajo. Mediat britanike kanë bërë të ditur se mbrojtësi i Çelsit ka përdorur një armë të kalibrit 22, pushkë me ajër me kompresor, arma më e fuqishme që mund të përdoret pa leje në Angli.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)