Eshton takon Thaçin: Kosova do të flasë vetë për veten e saj
Dialogu për vizat dhe studimi i fizibilitetit për Kosovën, janë dy çështjet kryesore të diskutimit mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe baroneshës Kathrin Eshton.
Gjatë takimit kryeministri Thaçi, ka kërkuar një afat kohor se kur Kosova do të marrë zyrtarisht udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe po ashtu, është kërkuar afat edhe për nisjen dhe përfundimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën, pjesë e procesit final të marrëveshjes për Stabilizim Asociim.
Duke kujtuar atë që e ka cilësuar marrëveshje historike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket bashkëpunimit rajonal të të dyja palëve, Eshton ka vlerësuar kontributin e kryeministrit kosovar, për vizionin dhe lidershipin e tij.
“Kjo marrëveshje do të thotë se Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë vetë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale. Kosova po ashtu do të jetë në gjendje të nënshkruajë vetë marrëveshje. UNMIK-u tashmë ka deklaruar se do t`i lërë këto të drejta për Kosovën”, ka thënë Eshton para gazetarëve në Bruksel.
Kryediplomatja evropiane ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Ne gjithmonë kemi thënë se qëllimi i dialogut është t`i sjellim palët më afër Bashkimit Evropian”, ka theksuar ajo, duke shfaqur shpresën për hapa të tjerë të Kosovës drejt BE-së.
“Në marrëdhëniet tona, ne kemi nisur dialogun për vizat, kemi arritur marrëveshje tregtare, pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së... E di se të gjitha këto kërkojnë punë të madhe nga të dyja palët dhe vazhdim të bashkëpunimit. Ne s`kemi mbaruar ende”, ka thënë baronesha Eshton.
Vizita në Bruksel e kryeministrit Hashim Thaçi, po zhvillohet në margjinat e mbajtjes së samitit dy ditësh të shefave dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i cili fillon sot pasdite ku në mesin e temave do të jetë edhe procesi i zgjerimit të BE-së.
Udhëheqësit e bllokut, sot pritet të konfirmojnë edhe formalisht dhënien e statusit të kandidatit Serbisë, për anëtarësim në BE.
Ndërkohë, nënshkrimi në të ardhmen i marrëdhënieve kontraktuale me Kosovën, është një nga premtimet e dhëna nga Bashkimi Evropian.
Në Bruksel së bashku me kryeministrin e Kosovës Thaçi, po qëndron edhe ministri i jashtëm Enver Hoxhaj. Ata do të takojnë kryeministra të shteteve dhe deputetë të Parlamentit Evropian.