E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshtrat e Mbretit Zog I do të prehen përjetësisht në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore

17-11-2012 / Gazeta 55

Mbërrijnë në Atdhe eshtrat e Mbretit Zog I, sot ceremonia e rivarrimit

Gjatë ditës së djeshme mbërritën në Atdhe eshtrat e Mbretit Zog I. Arkivoli me eshtrat e Mbretit shoqërohej nga nipat e Tij z. Skënder Zogu dhe Ergun Zogu. Për të pritur arkivolin me eshtrat e Mbretit Zog I, kishin dalë në aeroportin e Rinasit Lartësia e Tij Princ Leka së bashku me të fejuarën e Tij znj. Elia Zaharia dhe pjesëtarë të tjerë të Familjes Mbretërore. Gjithashtu ishin të pranishëm edhe ministri i Brendshëm z. Flamur Noka, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, ministri i Turizmit Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, zv/ministri i Mbrojtjes dhe Kryetar i PLL-së, Ekrem Spahiu, zv/ministri i Transporteve dhe Punëve Publike dhe Kryetar i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi, Drejtori i Protokollit të Shtetit z. Ermal Dredha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, drejtues të shoqatave të ish të burgosurve dhe përndjekurve politikë, drejtues të pushtit vendor, etj.
Në aeroportin e Rinasit kishin dalë gjithashtu Kryesia e Partisë Lëvizja e Legalitetit, drejtues të saj në rrethe, legalistë dhe mbretërorë nga gjithë vendi dhe Diaspora si dhe qytetarë të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova.
Arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog I, i mbuluar me Flamurin Kombëtar, u vendos me nderime ushtarake mbi shtratin e topit dhe nën tingujt e marsheve funebre të Bandës Frymore të Ushtrisë kaloi para turmës të madhe të njerëzve që kishin dalë për ta pritur e që qëndronte në heshtje.
Ceremonia e Homazheve do të zhvillohet sot, nga ora 10:00-12:00 në Pallatin Mbretëror (i njohur si Pallati i Brigadave) në prani të krerëve më të lartë të shtetit. Po sot, eshtrat e Mbretit Zog I do të prehen përjetësisht në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore. Eshtrat e Mbretit Zog I, të cilat preheshin në France që prej më shumë se 51 vitesh, u ç’varrosën në Paris 3 ditë më parë nën kujdesin e përfaqësuesve të autoriteteve më të larta franceze. Nga ana e shtetit francez në këtë ceremoni morën pjesë: Laurent Stefanini, Drejtor i Protokollit të Republikës franceze, i cili përfaqësonte Presidentin francez; Gjenerali Bazin, Përfaqësues i Guvernatorit Ushtarak të qytetit të Parisit; Alain Thirion, Përfaqësues i Prefektit të Parisit si edhe Jean-Yves Camus, Përfaqësues i Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Parisit.
PDIU: Akt i vonuar historik/Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet thekson se kthimi në Shqipëri të eshtrave të Mbretit Zog është një akt i vonuar historik. PDIU shprehu vlerësim për figurën poliedrike të ish monarkut, ish presidentit, ish kryeministrit dhe ish ministrit shqiptar, i cili dominoi jetën politike dhe kombëtare të vendit përgjatë 20 viteve të konsolidimit të tij. Përtej çfarëdo gjykimi historik, që i takon historianëve t’i trajtojnë, PDIU dëshiron të vlerësojë dy momente të rëndësishme të kontributit të Mbretit Zog përgjatë regjimit të tij. Mbreti Zog ishte politikani me vokacionin më të fortë për shqiptarët e Çamërisë dhe ishte pikërisht beteja e tij ajo që mundësoi mos-dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre përgjatë shkëmbimit greko-turk. Mbreti Zog mundësoi nënshkrimin e marrëveshjes për hapjen e shkollave shqipe për shqiptarët e Çamërisë në fund të mbretërimit të tij dhe nëse Shqipëria nuk do të pushtohej nga forcat fashiste, pa dyshim që këto shkolla do të ishin funksionale fal këmbënguljes së tij. Kjo veprimtari e Mbretit Zog shkon në vazhdën e një detaji të rëndësishëm, faktin që ai u shpall Mbret i Shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë dhe me aq sa mundi, në kushtet në të cilat drejtoi e plotësoi detyrimin kushtetues që i kishte vendosur vetes për të mos qenë mbret i një territori, por mbret i një kombi.
“Politika e sotme shqiptare duhet të marrë leksione nga ato kohë të vështira, për të vepruar si politikë bashkuese e kombit shqiptar dhe si drejtues të një kombi dhe jo të një territori. Për më tepër, të gjithë ata politikanë e drejtues që kanë frikë të artikulojnë çështjen çame dhe bashkimin kombëtar duhet të shohin te vetvetja mungesën e trimërisë, pikërisht asaj trimërie për të cilën sot vlerësojnë Mbretin Zog”, thuhet në deklaratën për shtyp të PDIU.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›