Sequi: Bashkëpunoni për integrimin
Ambasadori i BE-së, apel klasës politike për votimin e 3 ligjeve të Brukselit
Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Ettore Sequi i ka bërë edhe njëherë thirrje klasës politike për bashkëpunim, proces që sipas tij do ta çojë Shqipërinë drejt familjes natyrale evropiane. “Dikur rrugët të çonin në Romë, ndërsa tani në Bruksel e Evropë”, tha Sequi. Sipas tij, “rruga drejt Evropës është një, ajo e dialogut, shtetit të së drejtës dhe reformave”. “Dialog nuk do të thotë të bëhen dy monologë të ndryshme, por një bisedë së bashku”, tha ai.
Ambasadori kujtoi se takimi i Këshillit Evropian do të bëhet në Bruksel në dhjetor dhe për marrjen e statusit Shqipëria duhet të miratojë këto ligje, reformat dhe luftën kundër korrupsionit. Ai nënvizoi se megjithatë ndjehet i inkurajuar nga faktorët politikë në Shqipëri pasi të gjithë ata bien dakord për këtë rrugë dhe ai shpreson në rezultate pozitive.
Këto komente ambasadori i BE-së në Tiranë i bëri nga qyteti i Elbasanit, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës “Egnatia” përgjatë lagjes “Kala”, një investim i Bashkimit Evropian prej 557 mijë euro.