E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi i Shqipërisë nderon 48 intelektualë shqiptar

17-11-2012 / Gazeta 55

100 vjetori i Pavarësisë

Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë nderoi dje intelektualët shqiptar për kontributin e tyre, personalitete të letrave, artit e humanizmit shqiptar gjatë 100 viteve. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli shprehu nderim për figura të artit dhe letrave shqipe që nga Gjergj Fishta, Eqerem Çabej, Ismail Kadare, Mitrush Kuteli, Martin Camaj, Vangjush Mio, Çesk Zadeja, Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Faik Konica, Lasgush Poradeci dhe të tjerë intelektualë të mëdhenj të këtij kombi. Ishin 48 figura të artit dhe letrave shqipe, të cilët me veprën e tyre kanë bërë sipas zonjës Topalli të realizohet porosia e Fishtës që ai artikuloi pas shpalljes së pavarësisë. “Artistët kanë qenë dhe janë miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Ata u bënë njerëz të ndryshimit. Shqiptarët i besuan atyre dhe ata nuk i tradhtuan shqiptarët. Ne kemi nevojë për ta si për ajrin”- u shpreh Kryetarja e Kuvendit, e cila në fjalën e saj citoi: “Tash që u ba Shqypnija, duhen ba shqyptarët”, shkruante At Gjergj Fishta menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë në fillim të vitit 1913. Tingëllon kjo frazë sa therëse, sa ironike, e idhët, si e vërteta. Po kush do t’i bënte shqiptarët që të ndjeheshin shqiptarë? Natyrisht ky që misioni më i rëndë, më sfidant, më kryeneç, më jetësor që i binte mbi shpinë veçse njerëzve të kulturës. Artistët kanë qenë dhe janë miqtë e vërtetë të shqiptarëve. Ato janë bujarisht të mikpritur prej tyre dhe duhet që ta rimarrin edhe më me kurajo këtë pozicion. Ne kemi nevojë për to si për ajrin. Shkrimtarët dhe artistët janë njerëzit tanë të shtëpisë. Ata na kanë hyrë nëpërmjet librave, nëpërmjet radios që na zgjon nga gjumi, nëpërmjet pikturave që kemi ndër mure, nëpërmjet fotove ku ruajmë kujtimet, nëpërmjet televizionit dhe filmit të darkës, nëpërmjet copave të revistave që i kemi ngjitur te muri mbi kokën e krevatit. Ata i kemi gjithandej”- u shpreh Topalli.
Kryeparlamentarja i dorëzoi familjarëve të këtyre figurave botimin special të kuvendit me aktet e themelimit të shtetit shqiptar. Emocionet ne një nderim të tillë janë të kuptueshme dhe si të tilla nuk munguan disa vargje të Lasgushit dhe këngë lirike nën interpretimin e korit dhe të sopranos me famë botërore Inva Mula ishin përmbyllja e një mbrëmjeje të emocioneve të forta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›